Kurti: BE-ja të gjejë mekanizëm për ta bërë të detyrueshme marrëveshjen me Serbinë

Një ditë pas takimit në Ohër ku u arrit marrëveshja por pa u nënshkruar mes Kosovës dhe Serbisë, Kryeministri Albin Kurti ka reaguar sërish duke bërë thirrje që BE-ja të gjejë një mekanizëm për ta bërë marrëveshjen të zbatueshme.

Përmes një postimi në Twitter, Kurti ka falenderuar zyrtarët e BE, Borrell dhe Lajçak, si dhe zyrtarin amerikan Escobar, që ndërmjetësuan këtë takim.

Por, Kurti kërkon që Serbia ta nënshkruajë këtë marrëveshje.

“Kemi arritur një marrëveshje për një aneks implementues të Marrëveshjes Themelore. Serbia, njësoj si në takimin e fundit në Bruksel, iu shmang nënshkrimit të marrëveshjes, dhe tani edhe aneksit implementues. I takon BE-së që të gjejë një mekanizëm për ta bërë marrëveshjen të detyrueshme ligjërisht dhe ndërkombëtarisht”, ka shkruar Kryeministri i Kosovës Albin Kurti.

Klan Kosova publikoi edhe aneksin implementues. Në aneskin e marrëveshjes thuhet se palët kanë rënë dakord të miratojnë si çështje urgjente Deklaratën për Personat e Zhdukur, po ashtu Kosova do të fillojë menjëherë negociatat brenda dialogut për të krijuar aranzhime dhe garanci specifike për të siguruar nivel të përshtatshëm të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, në përputhje me marrëveshjet e mëparshme përkatëse në dialog, siç përcaktohet nga BE-ja lehtësuese.

Gjithashtu thuhet se palët kanë rënë dakord që brenda 30 ditësh të krijojnë një Komitet të Përbashkët Monitorimi, të kryesuar nga BE-ja, ku zbatimi i të gjitha dispozitave do të sigurohet dhe mbikëqyret nga Komiteti i Përbashkët Monitorues.

Për ta implementuar nenin 9, BE-ja do të organizojë konferencë të donatorëve brenda 150 ditësh për të krijuar një paketë të investimeve dhe financiare për Kosovën dhe Serbinë. Asnjë disbursim nuk do të ndodhë përpara se BE-ja të përcaktojë se të gjitha dispozitat e marrëveshjes janë implementuar plotësisht.

Në fund të këtij teksti thuhet se Kosova dhe Serbia pajtohen se çdo mosrespektim i detyrimeve nga marrëveshja, aneksi apo marrëveshjet e kaluara të dialogut, mund të kenë pasoja të drejtpërdrejta negative për procesin e tyre përkatës të anëtarësimit në BE dhe ndihmën financiare që marrin nga BE-ja.  

Leave a Reply