BISER MEHMETI për frymëzimin, procesin krijues, lirinë

PËRDITSHMËRIA PËRPLOT ME TREGIME

Frymëzimi për veprën që jam në proces të shkrimit më ka ardhur nga një ngjarje e vërtetë që e dëgjova një ditë nga një njeri me të cilin rastësisht u takuam një ditë përmes një mikut tim gjatë kohës sa pinim kafe. Ai më tregoi se si gruaja e tij një ditë i ishte tekur që të bënin një fëmijë, edhe atë pas 20 vjetësh që kishin bërë fëmijën e fundit. Ky tipi i ishte ankuar gruas se nuk dëshironte të bënte fëmijë më tutje, ngaqë kishin dy fëmijë të rritur. Megjithatë, gruaja kishte këmbëngulur patjetër të bënin një fëmijë dhe për të mos e prishur raportin me gruan kishte pranuar kërkesën e saj. Megjithatë, kur gruaja kishte lindur fëmijën, në vend të gëzimit, kishte përjetuar trishtim të madh sa gati ishte çmendur, ngase fëmija i saj kishte lindur me të meta… Ndërkaq vepra që pres të botohet së shpejti dhe e cila është marrë për botim nga MKRS është një libër me tregime që titullohet “Heroi i mohuar”. Frymëzimi për shumicën nga këto tregime që i kam shkruar në këtë libër janë nga jeta e përditshme, sepse mendoj që shkrimtari ngjarjet i sheh ndryshe nga njerëzit e zakonshëm. Më tregoi një ditë një mik për një luftëtar të vrarë gjatë luftës, po që nuk përmendet nga askush, pra është hero i mohuar.
Sa i përket çështjes së lirisë mendoj se në aspektin krijues liria mbase nuk është çështje që mund të diskutohet, po mendoj në aspektin personal. Megjithatë, liria në kuptim kohor mungon, pasi që sot krijuesi nuk mund të ekzistojë pa e pasur edhe një punë tjetër me të cilën siguron mbijetesën. Ndërkaq në kuptim e lirisë kohore, mendoj se krijuesi mund të gjej sado kohë të lirë për të shkruar. Nuk kalon ditë pa lexuar ose pa shkruar disa orë.(HEJZA)

Leave a Reply