Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken ripërsëriti paralajmërimin drejtuar Moskës se do të përballet me pasoja serioze nëse sulmon Ukrainën. Zoti Blinken i bëri komentet në Stokholm, gjatë një konference të përbashkët për shtyp me ministrin e Jashtëm rus Sergei Lavrov, para një takimi dypalëpsh me të. Dy diplomatët e lartë ndodhen në Stokholm në kuadër të takimit të ministrave të jashtëm vendeve anëtare të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë.
Tensionet janë rritur në javët e fundit rreth dislokimit të trupave ruse pranë kufiri me Ukrainën.
Kievi dhe Perëndimi, e shohin si një shenjë të mundshme të synimeve të Moskës për të pushtuar ish-fqinjin e saj sovjetik. Sekretari Blinken vuri theksin tek diplomacia si zgjidhje për situatën.
“Siç e kemi bërë shumë të qartë javët e fundit, ne kemi shqetësime të thella në lidhje me planet e Rusisë për ripërtëritje të agresionit kundër Ukrainës. Mënyra më e mirë për të shmangur krizën është përmes diplomacisë. Nëse Rusia vendos të ndjekë rrugën e konfrontimit, do të ketë pasoja serioze”, tha zoti Blinken.
Sekretari amerikan i Shtetit tha se Rusia dhe Ukraina duhet të zbatojnë plotësisht detyrimet e tyre sipas procesit të paqes të Minskut të vitit 2014, i krijuar për t’i dhënë fund luftës mes separatistëve pro-rusë dhe forcave të qeverisë ukrainase në lindje të Ukrainës. Ai premtoi ndihmën e Uashingtonit në këtë drejtim.
Ministri i Jashtëm rus tha se Moska ishte e gatshme për dialog me Kievin.
“Ne jemi të interesuar të bashkojmë përpjekjet tona për të zgjidhur krizën ukrainase. Kolegët tanë amerikanë kanë thënë vazhdimisht se do të donin të ndihmonin, pa shkatërruar formatin e Normandisë, për të rivendosur një kanal të veçantë dialogu që ekzistonte në administratën e mëparshme. Ne jemi gati për këtë”, tha ai.
Ish-ambasadori i SHBA-së në Ukrainë Bill Taylor e përshëndeti takimin e sekretarit Blinken me ministrin Lavrov. Zoti Taylor tha për Zërin e Amerikës se zoti Blinken ka të ngjarë t’i japë një mesazh nga Presidenti Joe Biden për Presidentin rus Vladimir Putin.
“Mesazhi do të jetë ‘sprapsuni’. Mos sulmoni sërish fqinjin tuaj, sepse nëse e bëni, do të ketë pasoja të rënda. Dhe kjo nuk është vetëm retorikë. Shtetet e Bashkuara po koordinohen me kujdes me aleatët evropianë për sanksione të reja të ashpra, më të ashpra nga ato që rusët kanë parë më parë”, tha ai.
Sekretari Blinken zhvilloi një takim dy palësh edhe me ministrin e Jashtëm të Ukrainës Dmytro Kuleba.
Të mërkurën, Presidenti Putin tha se dëshiron “marrëveshje konkrete” me zyrtarët amerikanë, që NATO nuk do të zgjerohet drejt lindjes.
“Kërcënimi në kufijtë tanë perëndimorë është me të vërtetë në rritje, dhe ne kemi folur për këtë shumë herë. Ju duhet të shikoni se sa afër infrastruktura ushtarake e NATO-s është zhvendosur në kufijtë rusë”, tha ai.
Zoti Blinken ka deklaruar se komentet e zotit Putin se Rusia është ajo që po kërcënohet nga Ukraina dhe NATO, do të konsideroheshin si një shaka, nëse situata nuk do të ishte aq serioze.
Ndërkohë, një mesazh për presidentin rus ka përcjellë edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.
“Mesazhi është se vetëm Ukraina dhe 30 aleatë të NATO-s vendosin se kur Ukraina është gati të bashkohet me NATO-n. Rusia nuk mund të vendosë veton, nuk ka të drejtë të vendosë mbi këtë gjë, dhe nuk ka të drejtë të krijojë një sferë ndikimi duke u përpjekur të kontrollojë fqinjët e saj“.
Ukraina është bërë pika kryesore e përplasjes mes Rusisë dhe Perëndimit. Kievi thotë se Rusia ka dislokuar më shumë se 90,000 trupa pranë kufijve të Ukrainës.