Tare: Përse i dëbuat ju dy diplomatët rusë nga Shqipëria? Ishte vetëm një shenjë solidarizimi me vendet e BE-së dhe NATO-s, apo për shkak të veprimtarisë së tyre në Shqipëri?
Bushati: Ka qenë një vendim apo veprim i koordinuar me një mazhorancë të vendeve anëtare në NATO dhe BE. Shqipëria është e njohur për qartësinë e saj në orientimin e politikës së jashtme në përputhje me vlerat që mëshirojnë NATO dhe BE. Nuk ka qenë një qëndrim thjeshtë dhe vetëm i Shqipërisë dhe për t’iu përgjigjur edhe më drejtpërdrejt pyetjes suaj, kombinohen të dy elementët. Sinkronizimi me aleatët e Aleancës së Veriut dhe me partnerët tanë në BE dhe fakti që edhe në përputhje me veprimtarinë dhe ndërveprimin me anëtarë të ndryshëm të Aleancës, rezulton që dy diplomatët në fjalë, aktiviteti i tyre shkon përtej cakut të diplomatit.
Tare: Çfarë do të thotë kjo? Kush shkon?
Bushati: Kjo do të thotë atë që unë thashë pak më parë.
Tare: Nuk doni ta shtjelloni më tej çfarë do të thotë veprimtari që nuk përputhet me statusin e tyre si diplomatë. Ishin agjentë?
Bushati: Besoj që legjislacioni ndërkombëtar, tërësia e marrëdhënie ndërkombëtare që rregullon veprimtarinë e ushtrimit të profesionit të diplomatit në një vend të huaj, është i qartë për sa i përket kufizimeve që diplomatët kanë.
Tare: Çfarë prisni tani nga Rusia pas premtimit që bëri Moska se do të kundërpërgjigjet ndaj këtij vendimi?
Bushati: Marrëdhëniet tona kanë vite të cilat nuk po ngrihen dot në një lloj pike shumë të ulët, qoftë për sa i përket këndshikimeve diametralisht të ndryshme për zhvillimet në Ballkan dhe sidomos qëndrimit refraktar të Moskës dhe në disa raste paragjykues ndaj rolit të Shqipërisë dhe shqiptarëve në Ballkan. E kam thënë edhe në takime zyrtare pavarësisht këndshikimeve të ndryshme për shumë prej zhvillimeve ndërkombëtare, e kam konsideruar anomali faktin që marrëdhëniet tona janë në këtë pikë dhe faktin që Moska zyrtare nuk lë rast pa shigjetuar Shqipërinë dhe shqiptarët për zhvillimet në Ballkan. Nuk mendoj se është në interesin e Shqipërisë sado që është një prej aktorëve kryesor në skatierën ndërkombëtare dhe nuk është në interesin e Shqipërisë për të patur një marrëdhënie anormale me asnjë vend dhe aq më tepër me Rusinë, kur dihet pesha e saj në raportet ndërkombëtare.