Çka kanë myftinitë që po gjëmojnë

“Shih e gjëmo”, ose, “Kqyer me sy e plas me zemër” – thotë populli. Në këtë derexhe janë disa myftini të mëdha të BFI në RM. Ato ia zgjatën jetën okupatorit të BFI-së, Sulejman Rexhepit, kurse ky farë okupatori po i fishkë bashkëpunëtorët, mytitë, e këtyre myftnive

 

Shkruan Zeqie Veseli

 

“Zgjidhja e problemit” të Myftinisë së Shkupit, sipas reçetës së Sulejman Rexhepit, ka hapur telashe të mëdha dhe, që tani po vlojnë disa nga organet kryesore të BFI-së. Sulejman Rexhepi nisi ta korrigjojë “një padrejtësi” të më parshme që ua bënte teologëve të vendit. Për shembull, për t’u punësuar në Myftininë e Gostivarit Irsal Jakupi, e kishte kusht nga Sulejman Rexhepi që të hiqte dorë nga FRI, të deantarësohej nga ky forum “që i shërbente shërbimit sekret maqedonas”, sipas Sulejman Rexhepit. Kurse, sot, po ndodhë një dukuri tjetër: nëse do të bëhesh myfti i myftinive të BFI-së duhet të jeshë aktivist dhe funksionar i FRI-së, përkatësisht “spiun i shërbimeve sekrete maqedonase”, sipas Sulejman Rexhepit!

Me këtë gjest, në fakt, Sulejman Rexhepi veçsa ua institucionalizoi veprimtarinë, angazhimin dhe përpjekjet një forumi të cilës dikur nuk kishte arritur t’ia gjejë as Statutin në Regjistrin Qendror. Tashmë i ka legjitimuar, duke ua dhënë Myftininë e Shkupit degës së FRI-së në Shkup.

Me këtë rast, tashmë janë shtuar natyrshëm orekset te degët e tjera të FRI-së. Po vlon në territorin e Myftinisë së Kumanovës, në Kërçovë, po vlon në Gostivar e në Dibër. Pse jo, kur nga kjo OJQ mund të bëhet myfti i Shkupit, pse të mos bëhet një tjetër myfti në Myftininë e Kumanovës, apo të Kërçovës…

Te këto Myftini po ndjehet një presion, apo, thënë më drejtpërdrejtë, po ndjehet një tradhëti në horizont e Sulejman Rexhepit. Në fakt, okupatori i BFI-së ka gjetur një mjet mjaft efikas përmes të cilit tash do të nisë t’i shantazhojë të gjithë myftitë, prej të cilëve do t’u kërkojë më tepër “disiplinë finansire”, që i bie që më tepër t’i japin lekë, ose të gjithë do të zëvendësohen me “aktivistë të denjë” të jetës fetare islame që vijnë nga radhët e FRI-së.

Nuk është ajo ndjenjë dhe ajo bindje që e kishin dikur kur në radhët e BFI-së e futi kokën e “vehabistëve” të Maqedonisë, Bekir Halimin. Atëherë të gjithë e kishin të qartë se kjo ishte strategji e Sulejman Rexhepit me qëllim për të futur një huti dhe një përçarje në mes të “vehabistëve” duke ua “kriminalizuar” shefin kryesor. Megjithatë, ky shef në momentin vendimtar “ia pëshurri dekretin” dhe e la me gishta në gojë.

Duke u frikësuar nga ndonjë “hakmarrje puçiste” prej “vehabistëve” në një çast ua humbi shpresat se do ta kenë Myftininë e Shkupit, duke ua sjellë për Myfti efendi Qenanin, ish-kryetarin e FRI-së së Shkupit.

FRI-ja nuk do të presë që ta pësojnë njëjtë si “vehabistët”! Duke e ditur se që nga fillimi janë trajtuar dhe etiketuar nga ana e Sulejman Rexhepit si “forum spiunësh”, do të bëjnë presion qoftë me aktivitete, qoftë me intriga, qoftë edhe me shantazhe që të marrin sa më shumë myftini në dorën e tyre. Prandaj edhe kanë ngritur kokë në myftinitë e lartëpërmendura, ndërkohë që myftitë e këtyre myftinive janë të bindur se fare lehtë mund të ndërrohen. Tek këta ekziston një përshtypje dhe një bindje e tyre që thotë se, kur Mulla Sula me aq lehtësi e eliminoi njeriun dhe ekipin i cili në çastet vendimtare të karrierës së tij ia dhanë “frymëmarrjen artificale” shpëtimtare, këta të tjerët, tashmë me afat të skaduar, në çdo moment mund t’i ndërrojë me individë e kuadër nga FRI, Forum ky që tashmë në dorë mbanë Myftininë e Shkupit si dhe projektet për nërtimin e një Medrese për femra në Shkup.

Fare në fund, FRI po e “çliron” me një lehtësi prej perandorie otomane BFI-në si dhe selinë e Rijasetit, duke u shpërngulur nga selia aktuale e Myftinisë së Shkupit në godinën e Rijasetit. Nuk është i vërtetë pohimi i Sulejman Rexhepit se kësisoj, duke e pasur brenda Rijasetit, më lehtë do të arrijë që ta kontrollojë këtë Myftini që tashmë mbahet në duar nga FRI-ja, por, e vërteta është kapitulimi i Sulejman Rexhepit para një Forumi i cili që në fillet e saj të veta ka pasur dhe ka synim kapjen e këtij Institucioni dhe reformimin rrënjësor të saj.

Këtë po e kuptojnë myftitë e disa Myftinive ndaj, po vlojnë, janë në ankth e në ethe, janë në atë gjendje siç ua do gajretin Sulejman Rexhepi. I vetmi shpëtim i tyre do të jetë – këmbimi i postit me nga një kostum “pierre cardin”. Kjo do të jetë kënaqësia e fundit e myftive aktualë, të cilët, me të madhe po kërkojnë “frymëmarrje artificiale” nga Sulejman Rexhepi. E kanë hëngër sa krahu! E gëzofshin!

Leave a Reply