Këtë herë, “New York Times” i shtrin pretendimet e kontakteve me rusët gjatë fushatës, deri te djali i madh i Trumpit, Donald Trump Junior.
Gazeta prestigjioze shkruan se 40-vjeçari ka pranuar të takohet me një avokate ruse të lidhur me Kremlinin vitin që shkoi, pas premtimeve se do t’i ofroheshin informacione dëmtuese mbi Hillary Clinton.
Vet Trump Jr. e pranoi se takimi me Natalia Veselnitskaya është zhvilluar vërtet, por shtoi se aty nuk u nxor ndonjë informacion me vlerë mbi ish-Zonjën e Parë.
“Pas shkëmbimit të komplimenteve, – citohet të ketë thënë ai, – juristja pretendoi se kishte informacion që individë të lidhur me Rusinë po financonin Komitetin Kombëtar Demokrat dhe mbështesnin Clintonin. Por deklaratat e saj ishin të mjegullta, me nënkuptime dhe jo fort të logjikshme. Nuk dha detaje e as informacion mbështetes. Shumë shpejt u bë e qartë se nuk kishte ndonjë gjë konkrete për të treguar”.
I pranishëm mësohet të ketë qenë edhe dhëndri i presidentit, Jared Kushner, dhe personi që drejtonte asokohe fushatën e miliarderit republikan, Paul J. Manafort.
Takimi me Veselnitskayan ndodhi 9 qershorin e vitit 2016 në kullën “Trump” në Nju Jork, vetëm dy javë pasi manjati kishte siguruar nominimin republikan. Ky besohet të jetë i pari takim privat i konfirmuar mes një shtetasi rus dhe një pjesëtari të rrethit të ngushtë të Donald Trump.
Si i biri i tij, ashtu edhe avokatja ruse këmbëngulin se nuk kanë diskutuar mbi fushatën presidenciale amerikane. Në mbështetje të pohimeve të saj, se Trump Junior pranoi të ulej me avokaten në këmbim të të dhënave shkatërruese për atë që ishte asokohe rivalja e madhe e të atit në rrugën drejt Presidencës amerikane, “New York Times” citon si burime 3 këshilltarë të Shtëpisë së Bardhë të informuar mbi takimin, e dy të tjerë që kishin dijeni për të.