DASh do të hetojë se a janë përdorur Humvee’it amerikanë gjatë stërvitjeve të Grupit Terrorist të Radojiçiqit

Njohësi i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin Westminster, Aidan Hehir ka thënë se automjetet që u panë në pamjet e publikuara nga ministri i Brendshëm Sveçla dhe drejtori i Policisë të dielën janë Humvee amerikanë.

Sipas tij, terroristët duket se i kanë përdorur këto automjete kur janë stërvitur para sulmit terrorist.

Eksperti britanik ka shkruar se “departmenti amerikan i Mbrojtjes nuk do të jetë i lumtur që Serbia i ka përdor këto automjete për të trajnuar terroristë?”.
Hehir ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka shumë për të shpjeguar.

“Makinat duken sikur ‘Humvee’ amerikanë. Sigurisht, Departamenti i Mbrojtjes nuk do të jetë i lumtur që Serbia i ka përdorur për t’i trajnuar terroristët makinat që iu dhanë donacion nga SHBA? Vuçiq ka shumë për të shpjeguar”, ka shkruar ai. Ndërkohë, një zëdhënës i Departamentit Amerikan të Shtetit ka konfirmuar për RTK-në se kjo çështje tashmë po shqyrtohet nga autoritetet e SHBA-së.

“Shtetet e Bashkuara e marrin seriozisht çdo pretendim që përfshin pajisje të ofruara nga SHBA kudo në botë. Ne jemi duke e shqyrtuar këtë çështje”, thuhet në përgjigjen e Departamentit Amerikan të Shtetit për RTK-në.

Ndërkohë 19 automjetet e dhuruara të SHBA-së për Serbinë në vitin 2017 të tipit “Humvee” sipas autoriteteve serbe do të ishin në dispozicion të Brigadës së III-të të ushtrisë serbe.

Leave a Reply