DASH thirrje amerikanëve të largohen nga Rusia

Kjo vjen pas arrestimit të reporterit amerikan që akuzohet për spiunazh dhe do qëndrojë në paraburgim për dy muaj

Arrestimi i gazetarit amerikan të The Wall Street Journal ka nxitur një tjetër përshkallëzim të marrdhënieve diplomatike mes SHBA-së dhe Rusisë.

Departamenti i Shtetit i SHBA-së u bëri thirrje qytetarëve që banojnë ose udhëtojnë në Rusi të largohen menjëherë pas arrestimit të reporterit amerikan të akuzuar për spiunazh. Zëvendës zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Vedant Patel, tha në një konferencë shtypi se SHBA dënon, në termat më të ashpër, “përpjekjet e vazhdueshme të Kremlinit për të frikësuar, shtypur dhe ndëshkuar gazetarët dhe zërat e shoqërisë civile”.

“Fatkeqësisht, ne kemi parë se si shtypja e përshkallëzuar e qeverisë ruse prek gazetarët, si dhe aktivistët e shoqërisë civile dhe komunitetin më të gjerë të Rusisë. Që nga 24 shkurti 2022, dhjetëra media dhe më shumë se 100 profesionistë individualë të medias janë etiketuar si të padëshirueshëm.”

Një gjykatë në Moskë vendosi që shtetasi amerikan dhe gazetari i Ëall Street Journal, Evan Gershkovich duhet të mbahet në paraburgim për gati dy muaj nën dyshimin për spiunazh. Daniil Berman, një avokat që përfaqëson gazetarin, nuk u lejua brenda sallës së gjyqit. Ai besonte se Gershkoviç do të çohej në Lefortovo, burgu qendror i Moskës i njohur në kohën sovjetike për mbajtjen e të burgosurve politikë.

Administrata e Presidentit të SHBA Joe Biden u shpreh se ishte thellësisht e shqetësuar dhe se zyrtarët kishin qenë në kontakt me punëdhënësin dhe familjen e Gershkovich. Grupet mbrojtëse të gazetarëve kërkuan lirimin e Gershkovich dhe e konsideruan arrestimin të motivuar politikisht dhe shumë qesharak.

Kjo është çështja e parë penale për spiunazh kundër një gazetari të huaj në Rusi, një krim që dënohet deri në 20 vjet burgim. Gershkovich, 31 vjeç, është amerikani i profilit më të lartë i arrestuar nga Rusia që nga ylli i basketbollit Brittney Griner, e cila u kap me vaj kanabisi duke mbërritur në Moskë një javë para pushtimit të Ukrainës dhe u lirua në një shkëmbim të burgosurish 10 muaj më vonë.

Leave a Reply