Çdo mosmarrëveshje, çdo dilemë, çdo çështje në periudhën e Pejgamberit a.s. është zgjedhur publikisht, me debate konstruktive dhe me dëgjimin e të gjithë palëve! A nuk na e ka lënë i Dërguari i Zotit xh.sh. edhe këtë veprim si amanet! Pse e refuzojmë debatin? Pse nuk e kuptojmë si vlerë islame ndërkohë që është një prej postulateve kryesore që e zhvillon dhe e avancon jetën islame në çdo shoqëri
Nga Mulla Nazmi Jashari
Mbi dyzet vite i kisha shërbyer islamit dhe myslimanëve të vendit tim. Natyrisht, me aq sa kam pasur kapacitete ndërkohë që, kurrë nuk pata më të voglin konflikt apo moasmarrëveshje me dikë prej xhematit tim. Në fund, u pensipova në katundin tim, në Ropalcë të Kumanvës. Elhamdulilah, sot jam krenar dhe ballëlatë para të gjithë atyreve që u shërbeva, duke lartësuar bashkarisht fjalën e Allahut Fuqiplotë!
Koha e pensionimit tim është po ajo kur nisën problemet në Instituccionin e vetëm islam në RMV, në Bashkësinë Fetare Islame! Kam pasur mjaft kohë që të analizoj një periudhë të caktuar të islamit në RMV dhe të bëj krahasime! Periudha 2006-2014 ka qenë një prej periudhave më të rënda për BFI-në por, në anën tjetër, edhe një prej periudhave më të lavdifshme të saj! Kjo, pa dyshim, falë një personi, ish-sekretarit të përgjithshëm të BFI-së, Afrim ef. Tahiri! Edhe sot e kësaj dite nuk e kam të qartë, kush u bë sebep që të largohet nga puna Afrim efendi Tahiri, dhe kush mendoi se BFI-ja do të shtyhet edhe më mirë pa të!
Ne, hoxhallarët e vendit, e dimë se cila ishte atmosfera islame në kohën kur BFI e kishte Afrim ef. Tahirin! Ne e dimë fort mirë se cili ka qenë respekti dhe nderimi i Rijasetit karshi hoxhallarëve të vendit. Ne e dimë fort mirë se si mbrohej dinjiteti dhe integriteti i hoxhallarëve, se si lulëzonte dhe ngritej lartë e më lartë jeta fetare islame.
Ish-Reisu Ulema i BFI-së, Sulejman ef. Rexhepi, sot me dhimbje flet për faktin që ka pasur shumë kërkesa prej bashkëpunëtorëve të tij për ta larguar Afrim ef. Tahirin, dhe tashmë janë vërtetuar shumë herë se këto kërkesa paskan qenë të bashkëpunëtorëve të qarqeve antiislame të vendit e që nuk ia paskan dashur të mirën as BFI-së!
Afrim Tahiri për asnjë moment nuk rreshti së kritikuari drejtimin e dështuar të BFI-së dhe vazhdimisht ka kërkuar reforma në BFI! Ai ka dalur edhe me program, ka dalur edhe me projekt por ka dalur edhe me Platformë origjinale (të gjitha i ka publike) se si duhet të bëhet ajo refomë gjithëpërfshirëse në BFI!
Po del puna se në BFI më tepër paska pasur parazitë, “neutralë”, njerëz tërësisht pasivë se sa që paska pasur të intresuar dhe vizionarë për të ndryshuar diçka në BFI! A duhen ndryshimet? Natyrisht, tepër shumë! Por, në bazë të analizave po del se kjo strukturë e cila aktualisht po drejton BFI-në nuk ka interesimin për kah e mira dhe e mbara! Në mesin e tyre as nuk ka ekspertë, as nuk ka vizionarë dhe as që ka të interesuar, sepse, natyrisht që do t’u prishet komoditeti.
BFI-në e kanë mbuluar skandale nga më të dhimbshmet, nga më të poshtrat dhe nga më antiislamet! Hoxhallarët tashmë po trajtohen si “pijavica” që po thithin gjakun e myslimanëve të vendit! Mbledhin fitra, zeqat, kurbanë, organizojnë haxh, për të pasur buxhet e për të blerë rehati paraziti nëpër poste të BFI-së!
Sot, Afrim Tahiri ka vendosur që mos të fle natë e ditë, me qëllim që t’i gjuajë dhe t’i zbardhë skandalet që po ndodhin “në emër të islamit” në BFI, kurse, Shaqir Fetai, edhe më tej, si në kohën e Sulejman ef. Rexhepit, frikësohet prej Afrim ef. Tahirit si prej “Azrailit”!
Për myslimanët e RMV-së fare nuk është me rëndësi posti i Shaqir Fetait, madje as vetë Shaqir Fetai, për këta myslimanë e rëndësishme është BFI-ja, është shumë i rëndësishëm fati i islamit në këtë nënqiell! Për hirë të kësaj, Shaqir Fetai, nëse nuk e ka atë inat të tij për të cilën u shkrua këto ditë, nëse është vetëm pak islamikisht i pastër, nëse e ka vetëm hall islamin e vendit, atëherë, duhet të ulet e ta sheshojë problemin me Afrim Tahirin dhe jo me ambasadorët e huaj në vendin tonë! Të mos ulen për të mirën e Afrim ef. Tahirit dhe as për të mirën e Shaqir Fetait, por ekskluzivisht për të mirën e BFI-së dhe të myslimanëve të vendit. Këtë zgjidhje të vetme ia pata kërkuar publikisht edhe ish-Reisul ulemasë, H. Sulejman ef. Rexhepit, i cili, edhe pse kishte qenë i gatshëm, pikërisht këta Shaqir Fetaha nuk e kishin lënë, duke i thënë se do të ishte tradhëti fatale për “bashkëpunëtorët” e tij!
Nëse Shaqir Fetai ka vendosur që ndonjë axhedë të huaj ta çojë deri në fund, Afrim Tahiri gjithashtu ka vendosur që mos t’i heshtë problemet, sepse janë sa të turpshme aq më shumë antiislame.
Shaqr Fetai nuk guxon të heshtë kur Afrim Tahiri ngre dyshime se letrat me vlerë, që i ka dhënë qeveria si formë e denacionalizimit të vakëfit, po harxhohen për rroga e për qejfe të bashkëpunëtorëve të Shaqir Fetait. Me heshtje ai nuk guxon të mendojë se mund t’i justifikojë këto veprime të turpshme.
Shaqir Fetai nuk guon të heshtë nëse Afrim Tahiri ngre dyshime se disa nga nëpunësit e tij janë bërë “mbretër”, ia kanë arritur që prej fukarenjëve të bëhet “boss”-a, nuk guxon të heshtë as për ata nëpunës për të cilët po flitet se në katet vakëf të objekit që po ngritet te ish-Komunaleci në Shkup, kanë marrë pallate gratis! Në fakt, këtu nuk ka gratis asgjë, këtu, nëse është i vërtetë ky fakt, kemi të bëjmë vetëm me grabitje të vakëfit! Edhe hoxhallarë edhe grabitës të vakëfit? Këta pastaj t’i “mëshirojë” efendi Tahiri dhe mos t’i kritikojë?! Po të gjithë këta “melaqe të mullirit” pse nuk e kritikojnë Afrim Tahin, apo sepse nuk kanë absolutisht asnjë fakt!
Krejt në fund, Shaqir Fetai nuk guxon të heshtë nëse ka të vërteta në blerjen e makinës prej dhjetra mijëra euro për dekanin e FSHI-së në kundërshtim me ligjet e vendit!
Ja pse Shaqir Fetai urgjentisht duhet ta tejkalojë inatin e vet (dhe të atij “shoqit”) dhe të ulet me Afrim Tahirin, t’i ballafaqojnë të vërtetat dhe të shohin se ku po çalon puna. Monologjet e Shaqir Feait, intervistat e tij të porositura e të paguara, janë bërë shumë të neveritshme dhe të gërditshme. Shaqir Fetai vetëm në debat publik përballë Afrim Tahirit, duk i shfletuar të gjitha faktet dhe argumentet, mund ta demantojë Afrim Tahirin dhe “ta pensionojë” para kohe! Ndryshe, me monologje Shaqir Fetai vetëm sa do të mundohet t’i fshehë gjurmët e korrupsionit, të vjedhjes e të shkatërimin në BFI! Me këtë sjellje Shaqir Fetai kurrë nuk do të mund që t’i shleftësojë argumentet dhe faktet e Afrim ef. Tahirit!
Afrim Tahiri është zëri i fuqishëm i shumë hoxhallarëve të vendit, të cilët Shaqir Fetai nuk guxon t’i injorojë aq lehtë. Nëse edhe vetëm një hoxhë është jasht skemave të Shaqir Fetait, ai nuk guxon të flasë as për “simbolin” e unitetit të myslimanëve dhe as nuk guxon të pretendojë se të gjithë “hoxhollarët” janë unikë. Sepse, me automatizëm do të dalë rrenc!