Frikacakët e Rijasetit

Se, Institucionin tonë të vetëm fetar, BFI-në, e ka kapluar një mjegull e trishtueshme, që nuk të lejon të shohësh as brenda dhe e as përtej “Institucionit”, kjo tashmë nuk ka asnjë dyshim! BFI-ja jeton në mjegull dhe përhap mjegull! Shpëtimi nga kjo situatë e mjerë është vetëm debati publik, sqarimi para opinionit i gjithçkafit që ka ndodhur e që po ndodhë! E kemi shumë të lehtë të dalim para opinionit! Si do të dalim para Zotit?

Shkruan: Mulla Nazmi Jashari

Deri para dy viteve, opinioni “bombardohej” nga kritikat opozitare kundër mënyrës së organizimit dhe funksionimit të BFI-së! Ish-reisul Ulema H. Sulejman ef. Rexhepi nuk kishte ditë që nuk kritikohej. Çuditërisht, ndonëse ishte i rrethuar me shumë “miq” asnjëherë nuk ngriti zërin asnjëri për ta mbrojtur nga kritikat sa të arsyeshme aq edhe tendencioze! Gjithashtu, ekzistonte edhe një frikë e madhe në mesin e anëtarëve të Rijasetit, të drejtuesve të organeve të BFI-së si dhe të shumë imamëve që të takohen me oponentët, sepse, për një kafe, apo për një shtrëngim islamikisht të duarve me oponentët, “të shkonte koka”, largohej njeriu nga puna!
Që të gjithë “anëtarët” e Rijasetit kishin frikë por edhe e urrenin opozitën e BFI-së, atë strukturë që po e mërziste shumë reisin e tyre! Këta “anëtarë” të Rijasetit ishin shndërruar në mburojë e Sulejman Rexhepit, “kësaj figure markante”, këtij “luani të kombit e të fesë”, kësaj “figure historike që kishte bërë shumë për fenë e për kombin”, këtij “lideri historik fetar” që i taksoheshin të gjitha sukseset historike të BFI-së! Mërzitë dhe shqetësimet e reisit “miqtë” e tij po i përjetonin si dhembje të trishta. Haxhi Sulejman ef. Rexhepi kishte shumë “miq”, sepse shumëkë e kishte lënë që të kullosë sa të dëshirojë në BFI, kishte lejuar që të shfrytëzohet BFI për pasurime personale e familjare, i kishte hapur dyert e BFI-së për t’u punësuar gratë, motrat, vëllezërit, nipat e “miqve” të tij, kishte sjellë në krye të Myftinive persona të cilët, ndonëse nuk e kishin merituar, i kishin premtuar me gjithë shpirt që do të jenë lojalë deri në frymën e fundit të jetës. Nuk e kishin frikë, sepse po ta kishin frikë nuk do të bënin të pabërat për një teolog të sinqertë! E respektonin? E respektuan aq shumë sa, kurrë nuk do të jetë i kuptueshëm as puçi dhe as komploti që ia bënë! Ishin vetë ata apo prapa tyre fshihej dikush që vepronte në emër të tyre? Ata mendojnë se kjo do të mbetet përjetë një “mister” i pandriçuar, ndonëse të gjitha veprimet e tyre janë aq lehtësisht të lexueshme! Që të gjithë parapëlyqen që të shkëputen për një çast nga të qenurit i sinqertë dhe në shërbim të Sulejman Rexhepit dhe, që të gjithë të vihen në shërbim të strukturave antiislame dhe antikombëtare në vend dhe më gjërë!
Pra, në fund, këta miq, brenda natës, sikur t’i kishte kapluar epidemia e papërjetuar hala, brenda natës, mblidhen dhe merren vesh që t’ia ngulin thikën pas shpine njeriut që ia kishin borxh jetën, shëndetin (shumë persona i shëroi nëpër botë duke ua mbuluar shpenzimet), pasurinë, mirëqenien, dashurinë, karrierën – H. Sulejman ef. Rexhepi! Ata që nga respekti i madh që e kishin ndaj “reisit të tyre”, iknin prej çdo “armiku” të tij, më në fund, vetë ata e “vranë”, e tradhëtuan, e varën, e poshtëruan, e eliminuan, e harruan!
Po çfarë u bëri efendi Rexhepi këtyre mjeranëve? Pse e tradhëtuan! Ata kurrë keq nuk i kishin bërë! Si lejuan që të gabojnë vetëm një herë dhe ta qëllojnë mu në “lule të ballit”! Dakord, njeriu edhe mund të gabojë një herë! Gabimi edhe falet! Por, a falet mosmirënjohja?
Pse as sot e kësaj dite, këta që e tradhëtuan “liderin” e tyre (Sulejman ef. Rexhepin) as nuk e shajnë eventualisht “për të bëmat e tij”, por as nuk e lavdrojnë, qoftë për një punë të hajrit që e ka bërë ish-reisul ulema i BFI-së. Pa dyshim, janë qindra punë të hajrit që i ka bërë, janë qindra të mira që ua ka bërë bashkëpunëtorëve të vet që do ta tradhëtojnë, janë qindra suksese që ia ka radhitur BFI-së. Mazallah se e thonë një fjalë! Edhe tani nuk guxojnë as ta kritikojnë por as edhe ta lavdërojnë!
Në mesin e hoxhallarëve që janë të moshës së tij, asnjëri nuk ka përmendur se i ka telefonuar, se e ka pyetur për shëndet, se e kanë vizituar, se i kanë shkuar për një kafe! Thonë, nuk guxojmë se Shaqir Fetai na dëbon nga puna! Edukata, morali, virtytet njerëzore, porositë e shenjta kuranore, Sunneti i Pejgamberit tonë, janë miliona herë më të rëndësishme se sa puna e Shaqir Fetait që ta ofron, e aq më të rëndësishme se sa largimi nga puna që ta bën “reisi”!
Nëse në të kaluarën punëtorët e BFI-së nuk guxonin ta takojnë oponentin e Sulejman ef. Rexhepit, sot është edhe më trishtueshëm: sot këta të punësuar nuk guxojnë t’i takojnë as oponentët e efendi Rexhepit që i trashëgoi Shaqir Fetai, por nuk guxojnë ta takojnë as Sulejman ef. Rexhepin!
Kush është ky farë reisi, Shaqir Fetai, që ua ka zënë frymën hoxhallarëve! Të gjithë qenkan në rrezik nëse e hidhërojnë Shaqir Fetain? Atëherë, që këtu shihet se nuk kemi të bëjmë me një “udhëheqës” por me një njeri me mision të caktuar! Mjer për ne! Zot, na shpëto nga ky turp ku jemi mbërthyer, të kemi frikë nga respekti, nga mirënjohja? Kurse këtë frikësim Shaqir Fetai nuk e bën për të mirën e hoxhallarëve por, për interes të vetin. Dhe kjo sjellje joislame është shumë açik sa për mos t’u parë nga hoxhallarët e mjerë! Kuku për ne!

Leave a Reply