Dekomunistizimi i politikave kulturore

Midis nesh

Për rreth dyzet vite me radhë shqiptarët zhvilluan kulturë bazuar në ideologjinë komuniste, kurse shqiptarët jashtë atdheut e në viset e tyre etnike patën fatin të përjetojnë edhe diskriminimin kulturor si rrjedhojë e qëndrimeve getoizuese kundër shqiptarëve vlerat shpirtërore e kulturore të të cilëve i konceptonin si motiv të sigurt për “shovinizëm dhe separatizëm”!
Në Shqipëri e Kosovë, edhe më tej kultura zhvillohet nën prizmin e përkatësisë politike, pa ndonjë platformë “të shenjtë” mbi të cilën do të ngritej një politikë e përhershme kulturore së cilës do t’i nënshtrohej çdo pushtet e çdo qeveri!
Në shtetet e tjera ku jeton në masë të konsiderueshme bashkësia etnike shqiptare, politikat kulturore shtetërore janë gati po ato të sistemit komunist e me elemente të aparthejdit! Nëpër organizata të larta të BE-së janë miratuar një sërë rezolutash kundër diskriminimit kulturor e kundër lirive dhe të drejtave të njeriut, por edhe rezoluta që i kanë dënuar këto diskriminime dhe shkelje të të drejtave të përgjithshme nga ideologjitë diktatoriale. Ka miratuar edhe shteti shqiptar, edhe Kosova, por sa këto rezoluta shtetërore kanë ndihmuar në dekomunistizimin e kulturës shqiptare! Cili është raporti i pushtetit karshi intelektualëve të kyçur nëpër parti që i bëjnë karshillëk pushtetit?! Cili është qëndrimi i pushtetit ndaj Akademive, ndaj institucioneve arkeologjike, antropologjike, ndaj institucioneve nacionale që kultivojnë veprimtari të ndryshme artistike! Mbase sot nuk e përjetojnë atë izolim e “përndjekje shtrigash”, por diferencimin ideo-politik gjithsesi që e vuajnë deri në heshtje totale dhe në heqje dorë nga veprimtaritë intelektuale! Për fatet e identitetit kulturor si dhe të zhvillimeve kulturore vendosin artistët e krijuesit, arkeologët e artistët e veprimtarive skenike-muzikor, dhe nuk duhet të vendos pushteti! Kultura të njëjtin fat komunist po e përjeton edhe në Kosovë, ndonëse nuk e ka presionin e diskriminimit nga okupatori i dikurshëm!
Identiteti kulturor i shqiptarëve të viseve etnike edhe pas tri dekadave demokraci, edhe më tej shikohet nga i njëjti prizëm diskriminues dhe nga të njëjtat aparthejd-politika! Shoqëria serbe, malazeze dhe maqedonase, nuk kanë punuar fare në çrrënjosjen e urrejtje etnike kundër çdo vlere shqiptare. Angazhimi shtetëror i tyre në zhvillimin e multikulturalizmit si dhe në ruajtjen e diversiteteve kulturore konsiston vetëm në faktin që për shqiptarët mjafton që frymojnë shqip dhe që identitetin kulturor të tyre e shprehin brenda mureve të shtëpisë. Asnjëherë nuk u trajtuan si viktimë kolektive e komunizmit etnik serb, malazes e maqedonas, asnjëherë nuk iu kërkua shqiptarëve falje kolektive dhe asnjëherë nuk u stimuluan kolektivisht serbët, malazezët e maqedonasit për t’u njoftuar sa më masovikisht me kulturën shqiptare si një prej kulturave më të vjetra në rajon e më gjerë; në shenjë pendimi për tërë atë diskriminim dhe urrejtje që e kanë kultivuar kundër kulturës shqiptare, është dashur që ta mësojnë, të paktën, si lëndë fakultative, me qëllim që ta kenë sa më të lehtë dhe etnikisht më të pranueshëm institucionalizimin e jetës kulturore shqiptare.
Asnjë qeveri në Mal të Zi, në Serbi e në Maqedoninë e Veriut nuk insistuan që të krijojnë buxhet special për institucionalizimin e kulturës shqiptare dhe kësisoj të dëshmojnë se janë shtet model për ruajtjen dhe kultivimin e diversitetit kulturor. Ligjet e natyrës nuk mund të përvetësohen e të përktheheshin si ligje shtetërore. Prezenca e etnitetit shqiptar në Maqedoninë e Veriut, në Serbi e Mal të Zi nuk është vullnet i qeverive të këtyre shteteve, por është ligj i natyrës. Aktivitetet private kulturore, aktivitetet kulturore të zhvilluara me ndihma e me sponsor nga firmat private, nuk janë angazhime shtetërore për diversitet kulturor. Majorizimi etnik-kulturor nuk është asgjë tjetër përveçse recidiv i komunizmit.
Edhe për faktorin ndërkombëtar kjo hipokrizi duhet të jetë brengosëse, sepse këto shtete, në emër të “multikulturalizmit” dhe “diversitetit kulturor” përfitojnë para të majme. Ndërkombëtarët duhet ta studiojnë mirë realitetin e sotëm e të kuptojnë se, përse shqiptarët, populli me kulturë më të lashtë në rajon, ka ngelur shekuj mbrapa, nuk e ka të institucionalizuar kulturën, nuk e ka platformën kombëtare për një identitet kulturor të respektueshëm prej të gjithëve! Pse shqiptarët e viseve etnike nuk kanë arkeologë, antropologë, regjisorë filmi, pse universitetet e tyre nuk kanë fakultete kulturologjike, restaurues, konservues etj! Nëse dikur “moti” këtë diskriminim e ushtruan në emër të ideologjisë komuniste dhe në emër të luftës kundër “shovinizmit dhe separatizmit” të kulturuar, sot çfarë po ndodhë? Në emër të çkafit jeta kulturore shqiptare është e po atij niveli të periudhës komuniste, nëse jo edhe më keq! Kultura shqiptare sa më parë dhe në të gjitha dimensionet duhet të institucionalizohet, kurse politikat kulturore duhet urgjentisht të dekomunistizohen. Shqipëria dhe Kosova, si shtete shqiptare, nëse nuk kanë kapacitete për ta hartuar platformën gjithëkombëtare për përforcimin dhe zhvillimin e identitetit kulturor, le të angazhojnë ekspertë ndërkombëtarë dhe le të konsolidojnë komunitet të fuqishëm lobistësh për të ndikuar te shtetet post-komuniste (ku jetojnë në masë të konsiderueshme shqiptarët) që pa hezitim të heqin dorë nga diskriminimi kulturor, duke e institucionalizuar sa më masovikisht kulturën shqiptare nëpër shtetet përkatëse. /HEJZA/

Leave a Reply