Twitter e bllokon përgjithmonë pas dhunës në Kongres
Demokratët amerikanë kanë vendosur të çojnë përpara nismën për shkarkimin e Presidentit Donald Trump të cilit i kanë mbetur më pak se 11 ditë në detyrë.
Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi tha se ajo do zyrtarizonte të hënën nismën për shkarkimin e kreut të Shtëpisë së Bardhë nëse ai nuk jepte menjëherë dorëheqjen pas trazirave që ndodhën në Kongres ku humbën jetën 5 persona.
Demokratët e akuzojnë Trump për “nxitje të kryengritjeve”. Presidenti i zgjedhur Joe Biden tha se i takonte Kongresit të vendoste nëse do të ngrinte akuza, por shtoi se “për shumë kohë kishte menduar se Trump nuk ishte i aftë të mbante detyrën”.
Në krahun tjetër, Shtëpia e Bardhë i hodhi poshtë akuzat si të motivuara politikisht. Nëse procesi do të zyrtarizohet kjo do të jetë hera e dytë që kërkohet shkarkimi i Trump.
Në Dhjetor 2019, Dhoma e Ulët e akuzoi Trump për abuzim me pushtetin dhe pengimit të Kongresit, por senati i rrëzoi akuzat në shkurt të 2020-ës. Asnjë president amerikan nuk është akuzuar 2 herë.
Sidoqoftë edhe kjo akuzë pritet të mos marrë mbështetjen e senatit ku republikanët kanë një mbështetje të gjerë. Ekspertët janë të ndarë nëse procesi mund të vazhdojë pasi Trump të lërë detyrën.
Donald Trump ndërkohë është pezulluar në mënyrë të përhershme nga Twitter. Njoftimin e dha vetë rrjeti social që tha se shkak është bërë nxitja e mëtejshme e dhunës.
Vetë Trump tha se duan t’i mbyllin gojën, por nuk do t’ia arrijnë. Twitter, një platformë mjaft e përdorur nga Trump ka fshirë të gjitha komentet e tij pas asaj që ndodhi në Kongres.