75 mijë anëtarë ftohen për të votuar në gjithë vendin
Të dielën demokratët zgjedhin kryetarin e ri të partisë përmes parimit një anëtar një votë, që do ti drejtojë për katër vitet e ardhshme të qëndrimit në opozitë.
Në garë janë katër kandidatë mes të cilëve Kryetari në detyrë I Partisë Demokratike, Lulzim Basha, deputeti i sapozgjedhur Agron Shehaj, anëtari i kryesisë Fatbardh Kadilli dhe përfaqësuesja e Grupimit për PD Edit Harxhi.
Por teksa na ndan një ditë nga mbajtja e zgjedhjeve në selinë blu, kryetari I komisionit të zgjedhjeve Jemin Gjana tha se ende dy nga kandidatët në garë, Kadilli dhe Harxhi nuk kanë sjellë emrat e përfaqësuesve në komisione.
“Sapo përfunduam një nga mbledhjet e komisionit, miratuam listën jopërfundimtare, sepse nuk janë përfaqësues për të gjitha komisionet, Kandidati Kadilli ka sjellë përfaqësues të tij nga 76 në 54 komisione, e miratuan listën pasi bëmë verifikimin e të qenit anëtarë në sistem dhe brenda degës në të cilën është ngarkuar për të qenë pjesë e komisionit. I vetmi që ka reaguar deri tani ka qenë Z.Kadili që po përgatisin listën dhe mendohet se do e dorëzojnë pasdite, detyrohemi të rimblidhemi pasdite, nuk kam komunikim nga stafi i zonjës Harxhi.”
Votimi nis në orën 07:00 të mëngjesit dhe përfundon në orën 19:00 të mbrëmjes. Në kutitë e votimit janë thirrur 75 mijë anëtarë të Partisë Demokratike, të cilët edhe pse nuk e kanë emrin në listë mund të votojnë me teserën e partisë.
Të përjashtuar nga këto zgjedhje do të jenë të gjithë ata anëtarë të cilët në zgjedhjet e fundit kanë bërë fushatë për një subjekt tjetër politik.
Pas votimit, do të nisë procesi i numërimit dhe më pas procesverbalet me rezultate do të sillen në selinë qendrore të Partisë Demokratike ku është ngritur Komisioni Zgjedhor.
Në zgjedhjet e kaluara në garën për kreun e demokratëve që u fitua nga Lulzim Basha u thirrën për të votuar mbi 103 mijë anëtarë në 68 degët e saj, por në kutitë e votimit u drejtuan vetëm 59 mije e 766 votues.