Deputetët e PD: Largimi i Bashës, zgjidhja e vetme

Kanë vijuar edhe të martën zërat  brenda radhëve të demokratëve që i kërkojnë Lulzim Bashës të japë dorëheqjen pas disfatës në zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 Marsit. Ervin Salianji, një ndër mbështetësit e Bashës i kërkon hapjen e garës për kreun e ri të Partisë Demokratike duke e bërë atë përgjegjës për humbjen katastrofike në këto zgjedhje.

Ervin Salianji: “Rezultati i zgjedhjeve të 6 Marsit ishte katastrofik për Partinë Demokratike. Sot nuk mund të mbyll sytë dhe as të fshihem, duhet ta lexojmë realitetin duke marrë çdo përgjegjësi, por përgjegjësia kryesore bie tek kryetari i partisë. Lulzim Basha e ka humbur mbështetjen, fatkeqësisht si kryetar partie është  barrë e rëndë për opozitën. Lulzim Basha duhet të bëjë hap pas dhe të krijojë mundësinë që PD të zhvillojë zgjedhje. Demokratët janë fitues, nuk pranojnë të quajnë fitore vendin e tretë.”

Por ky qëndrim i Salianjit vjen pas furtunës së nisur të hënën në selinë blu ku 14 deputetët e bënë përgjegjës Lulzim Bashën për humbjen e thellë në zgjedhje, duke i kërkuar atij dorëheqjen dhe futjen e partisë në një proces të brendshëm zgjedhor.

Në mbledhjen që zgjati deri pas mesnatës reagimi më i ashpër erdhi nga nënkryetari i demokratëve Agron Gjekmarkaj, i cili i dha Bashës i pari shembullin e dorëheqjes nga çdo funksion drejtues në PD. Duke parë Partinë Demokratike forcë të tretë për herë të parë, edhe deputetja Flutura Açka ka dhënë dorëheqjen nga të gjitha funksionet e saj në parti.

Flutura Açka: “Heq dorë nga postet e mia në parti (anëtare kryesie dhe Kryetare e Komisionit të Apelimit dhe Integritetit). …nuk do të jem pjesë e pjesëve të PD-së, por deputete e PD-së së bashkuar.”

Jo pak e ashpër në qëndrim ndaj Lulzim Bashës ishte edhe nënkryetarja tjetër e demokratëve Grida Duma, e cila i kërkoi të pranojë se ka humbur disa palë zgjedhje.

Grida Duma: “Nëse doni të jeni i sinqertë vërtetë, ju keni humbur shumë beteja dhe nga ky pranim nis zgjidhja. Ka dy pyetje të mundshme që mund të na bësh e para: Ju lutem bëhuni me mua të gjithë që unë të mbaj Partinë Demokratike se kështu dua unë si individ. Pyetja tjetër është; Si do bëjmë që përtej meje të ngremë Partinë Demokratike për vetë Partinë Demokratike? Cilën pyetje po na drejtoni, të parën apo të dytën?”

Në të njëjtën linjë ishin në qëndrim edhe deputetët Helidon Bushati, Ferdinand Xhaferraj dhe Xhelal Mziu.

Ferdinand Xhaferraj: “Ju z. Basha i keni fyer sot demokratët, duke i thënë që nuk keni humbur asnjë garë. Zgjidhja është një dhe e vetme. Largimi juaj z. Basha si e vetmja mundësi që hap rrugën për një proces të vështirë, por shpresëdhënës për betejën e vitit që vjen”.

Helidon Bushati: “T’i hapet rruga zgjedhjeve, duhet një kongres pajtimi me pjesëmarrjen e të dyja rrymave, ku për të mirën e përgjithshme disa duhet të bëjnë një hap prapa, duhet ngritur një komision që ta çojë Partinë Demokratike në zgjedhje.”

Listës së gjatë të deputetëve kritikë iu bashkuan edhe Lefter Gështenja, Emilia Koliqi, Ramadan Lika, Kasëm Mahmutaj, Elda Hoti, Lindita Metaliaj, Ilda Dhori, Flamur Hoxha dhe Eralda Bano. Në mbledhje nuk folën Gazmend Bardhi dhe Enkelejd Alibeaj, dy prej personave më të besuar të Lulzim Bashës. Pas përplasjes me deputetët, Basha pritet të ketë një tjetër përballje me kryetarët e degëve në orët e pasdites.

Leave a Reply