Dhjetëra llogari emaili të punonjësve në Departamentin e Thesarit janë kompromentuar nga hakerë të sofistikuar, përgjegjës për një fushatë të gjerë spiunazhi kundër agjencive federale amerikane, tha të hënën zyra e Senatorit Ron Wyden.
Në një deklaratë me shkrim, zyra e senatorit thotë se Komisioni i Senatit për Financat ishte informuar për aktivitetin e hakerëve në emailet e Departamentit të Thesarit dhe se duket që ka qenë një operacion me përmasa domethënëse.
Zoti Wyden, demokrati më i lartë në komision, tha se kompania Microsoft e kishte njoftuar departamentin se dhjetëra llogari emaili ishin kompromentuar dhe se hakerët kishin penetruar edhe në sistemet e komunikimit të zyrtarëve më të lartë.
“Departamenti i Thesarit nuk është në dieni të të gjitha veprimeve që ndërmorën hakerët, ose çfarë informacioni është vjedhur,” thuhej në deklaratë, duke shtuar se Shërbimi i të Ardhurave Fiskale kishte njoftuar se nuk ka shenja që të dhënat e taksapaguesve amerikanë janë ndikuar.
Deklarata e Senatorit Wyden përmbante tone mjaft më pesimiste se sa komentet e Sekretarit të Thesarit, Steven Mnuchin, i cili tha për kanalin CNBC më herët të hënën se “pozitivja është që nuk ka pasur dëme dhe se nuk kemi parë zhvendosje të një sasie të madhe informacioni”.
Departamenti i Thesarit nuk pranoi të reagonte në lidhje me komentet e Sekretarit Mnuchin.
Ekspertë qeveritarë në disa vende po përpiqen të zbulojnë hollësitë e ndërhyrjes kibernetike që mendohet se filloi në mars dhe që ka prekur një rrjet të gjerë agjencish qeveritare e biznesesh private./VOA/