Dhjetëra të vdekur pas një lufte mes bandave në një burg të Ekuadorit – nuk munguan as prerjet e kokave dhe hedhja e granatave

Të paktën 30 të burgosur janë vrarë dhe dhjetëra janë plagosur në një luftë mes bandave rivale në një burg në qytetin portual të Ekuadorit, Guayaquil.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, një komandant policie tha se të paktën pesë të burgosurve iu është prerë koka ndërsa të tjerët ishin qëlluar për vdekje.

Madje, komandanti Fausto Buenaño tha se të burgosurit kishin hedhur edhe granata.

Guvernatori rajonal tha se u deshën 400 policë për të rimarrë kontrollin e burgut, i cili strehon të burgosur me lidhje me bandat ndërkombëtare të drogës.

Deri më tani këtë vit, më shumë se 150 njerëz janë vrarë në dhunën në burg në Ekuador.

Në incidentin më të përgjakshëm deri më tani, 79 të burgosur u vranë në përleshje të njëkohshme në shkurt.

Burgu në fjalë, ku lufta e fundit vdekjeprurëse u zhvillua mbrëmjen e së martës, konsiderohet si një nga më të rrezikshmet në vend.

Komandanti i Policisë Buenaño tha se të burgosurit nga një krah i burgut ishin zvarritur nëpër një vrimë për të fituar qasje në një krah tjetër, ku ata sulmuan anëtarët e bandës rivale.

Në korrik, presidenti Guillermo Lasso tha se sistemi i burgjeve në Ekuador ishte 30% mbi kapacitetin.

Ai njoftoi planet për të përshpejtuar procesin e lirimit të atyre të burgosurve që kishin shërbyer pjesën më të madhe të kohës ose kishin kryer krime të vogla për të lehtësuar mbipopullimin. /Telegrafi/

Leave a Reply