Nehas Sopaj për kritikën letrare
(Enkas për Hejza-n)
Nevoja për kritikë të mirëfilltë letrare është ndjerë kahmos, që nga fillimi i tranzicionit, por sot si duket është domosdoshmëri e patjetërsueshme e jetësimit të saj. Përderisa krijohet letërsi me peshë artistike, nevoja për kritikë të gjithanshme, të mbathur shkencërisht, ndjehet si domosdoshmëri urgjente në mënyrë që letërsia jonë të dalë nga anonimiteti, të njihet në botë dhe ne vetë të ndjehemi mirë. Për këtë qëllim, është e nevojshme që në mbarë hapësirën shqiptare, të konstituohet një revistë ekskluzivisht me kritikë letrare (diçka sikundër është për shembull, Umjetnost riječi e Zagrebit që del atje më se gjysmë shekulli), në të cilën, njerëz kompetentë, të mbathur mirë shkencërisht, të formuar dhe të informuar me rrjedhat e zhvillimit të teorisë së artit letrar dhe të kozmogonisë në përgjithësi, do të mundnin ta përngjitnin fenomenin e letërsisë si art kohor me jetën tonë, me të vërtetat tona ekskluzive; do të kontribuonin për ”rreshtimin” e letërsisë shqipe në varganin e letërsive të ndryshme të mëdha kombëtare, duke e futur dhe afirmuar atë si një zë i veçantë, autokton dhe autonom që paraqet pasuri për kulturën dhe dijen në përgjithësi. Në një organ të këtillë, të cilin mund ta konstituojë secila nga shtetet shqiptare, me kompetencë dhe seriozitet, do të mund t’u jepnin zë nevojave tona të brendshme për dalje në sipërfaqe nga anonimiteti, përkundër sorollatjeve dhe iniciativave të kohëpaskohshme të individëve të caktuar, të cilët i nisin dhe i lënë punët përgjysmë… Megjithatë, edhe përkundër vullnetit të mirë dhe idesë së qëlluar, unë jam skeptik se kjo gjë mund të materializohet sot si duhet, duke i parë trendet tona akulturore, urrejtjes të madhe të palëve të interesuara për diç të këtillë të madhe, duke i njohur inatet tona fodulle, kapricet për vogëlsi të përhershme… Por, po të ndodh që kjo gjë një ditë të bëhet realitet, shumë gjëra do të ndryshojnë për të mirë tonën të përgjithshme, me çka do të dukemi mu ashtu siç realisht edhe jemi. Lëre që me këtë gjë do të përfundonin shumë idiotizma të personaliteteve tona të rrejshme për këmbëngulje të letërsisë sonë çfarë ajo edhe realisht nuk është, duke mbetur trivialitet, kakofoni dhe shllagvort, por do të pushonin së vajtuari zërat e fqinjëve tanë, të cilët piskëllojnë për mosnjohjen tonë, thuaja se për këtë gjë fajtorë jemi ne pse ata nuk na njohin, çfarë realisht jemi… Shpresojmë, shohim e bëjmë!