Nasip Naço ka dhënë papritur dorëheqjen këtë të hënë nga posti i ministrit të Drejtësisë. Naço ia ka paraqitur dorëheqjen pak pas mesditës (rreth orës 13) kryeministrit Rama, në një takim në zyrat e qeverisë.
Ende nuk dihen detaje për aktin e largimit të ministrit të LSI-së, por tashmë hapet loja e ndryshimeve në qeveri, ku do të shihet nëse do të kemi impulse të reja, siç ka kërkuar zoti Meta me disa ndryshime ministrash, apo vetëm brenda ministrave të LSI-së, me zëvendësimin e Naços nga një tjetër emër brenda kësaj partie.
Në një lidhje të drejtpërdrejtë me edicionin e lajmeve, gazetari i TCH Muhamed Veliu, që ndodhej pranë Kryeministrisë, mësohet se dorëheqja e Naços ka qenë edhe shkaku i mosmarrjes pjesë nga Rama në takimin e grupit parlamentar të PS-së. Edhe pse zyrtarisht nuk jepen shkaqet e dorëheqjes së tij, mësohet se ato janë thjesht arsye personale. Rreth orës 14 e 20, një burim qeveritar i konfirmoi TCH dorëheqjen e Naços por pa dhënë detaje të tjera.
Menjëherë pas largimit të zotit Naço nga takimi me kryeministrin Rama, menjëherë në zyrat e qeverisë mbërriti kreu i Kuvendit, Ilir Meta, i cili pas takimit e ka vlerësuar si një akt të ndërgjegjshëm qytetar largimin e Naços, ndërkohë që e vlerëson ish-ministrin për kontributin e dhënë gjatë kësaj periudhë ne qeverisje dhe në reforma.
Kjo është dorëheqja e dytë e një ministri të kabinetit të zotit Rama, pasi rreth një vit e gjysmë më parë patëm dorëheqjen e ministrit Ilirjan Celibashi, që ishte ngarkuar të merrej me Marrëdhëniet me Parlamentin. Ndërkohë, i marrë në pyetje nga Kryesia e Kuvendit, nënkryetari i LSI-së, Ylli Manjani, njëkohësisht zv.ministër i Transporteve deri më sot, ka lënë gjithçka të hapur për të qenë ai ministri i ardhshëm i Drejtësisë, për shkak se siç tha “kushdo që merret me politikë është i gatshëm të mbulojë çfarëdolloj roli dhe posti”.
E kështu duket se do të jetë, pasi një burim qeveritar ka konfirmuar për Top Channel se do të jetë pikërisht Ylli Manjani ministri i ardhshëm i Drejtësisë, duke ruajtur kështu ekuilibrat mes dy forcave kryesore të koalicionit qeverisës, PS-LSI.