Dronët godasin ndërtesa të larta në Kazan të Rusisë

Dronët kanë goditur ndërtesa të larta banimi në Kazan, kryeqytetin e republikës Tatarstan të Rusisë, gjatë një vale sulmesh që e kanë detyruar aeroportin e qytetit t’i pezullojë fluturimet përkohësisht.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se sulmet ndodhën në tri valë midis orës 7:40 dhe 9:20 të mëngjesit, sipas kohës lokale, më 21 dhjetor.

Shërbimi për shtyp i Rustam Minnikhanov, udhëheqësit të republikës autonome të Tataristanit, tha në një komunikatë se tetë dronë e sulmuan qytetin. Sipas komunikatës, gjashtë prej tyre i goditën ndërtesat e banimit, një e goditi një objekt industrial dhe një tjetër u rrëzua mbi një lumë.

Ministria ruse pretendoi se dronët ishin me origjinë ukrainase, ndërsa autoritetet ukrainase nuk kanë komentuar.

Sipas një komunikate në Telegram nga zyra e kryetarit të Kazanit, zona e banimit në tri qarqe të qytetit ishin në shënjestër të dronëve.

Pamjet në rrjetet sociale tregojnë disa raste ku dronët godasin ndërtesa shumëkatëshe dhe shpërthejnë në flakë.

Nxënësit evakuohen nga shkollat

Shërbimi Tatar-Bashkir i Radios Evropa e Lirë raportoi se nxënësit janë evakuuar nga shkollat në qarkun sovjetik të Kazanit dhe se sirenat mund të dëgjoheshin në qytet.

Nuk ka pasur ndonjë njoftim zyrtar mbi numrin e viktimave.

Sipas Interfax, kryetari i Kazanit, Ilsur Metshin, tha se njerëzit janë evakuuar nga ndërtesat e prekura dhe po u sigurohet strehim dhe ushqim.

Kazani ndodhet rreth 800 kilometra në lindje të Moskës.

Në një komunikatë, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se një “mjet ajror ukrainas, pa pilot, u shkatërrua mbi territorin e Republikës së Tataristanit nga forcat e mbrojtjes ajrore në detyrë”.

Agjencia Federale e Transportit Ajror të Rusisë tha në një komunikatë se “janë vendosur kufizime të përkohshme në Aeroportin e Kazanit në mëngjesin e 21 dhjetorit për të garantuar sigurinë e fluturimeve civile”.

Në të kaluarën, në shënjestër të sulmeve të dronëve ukrainas kanë qenë vendet ushtarake dhe industriale ruse në rajon.

Leave a Reply