Dy femrat fatale të Visho Ajazit, Fatima “Lady Jihad” dhe bukuroshja ruse Olga!

Nga Gjergj Thanasi /

Pa pritur e papandehur, si rrufeja në të thatë kreu i SHIK-ut (SHISH-it), Visho Ajazi Lika dha dorëheqjen. Normalisht për një dorëheqje të tillë sa të papritur aq edhe enigmatike, lindin hamendje pa fund, por edhe shashka tymuese për të mbuluar shkakun real.

Disa media morën udhëzim, që ta trajtonin rastin si dorëheqje të Vishos për shkak të mbarimit të mandatit. Fatkeqësisht ky variant është një gënjeshtër e trashë.

Ligji Nr. 8391 Dt. 28.10.1998 i ndryshuar me Ligjin Nr. 8479 Dt. 24.4.1999, i ndryshuar me Ligjin Nr. 9400 Dt. 12.5.2005 në nenin 5 të tij shprehet qartë: “Drejtori dhe zv/drejtori i tij (Shërbimit) emërohen dhe shkarkohen nga Presidenti i Republikës me propozim të Kryeministrit. Punonjësit e tjerë emërohen dhe shkarkohen nga Drejtori i SHIK-ut.”
Vishua nuk kishte mbarim mandati! Ai mund të shkarkohej në çdo kohë (ashtu si mund të rrinte edhe 20 vjet Drejtor i SHIK-ut), nëse kryeministri do ia propozonte Presidentit dhe ky i fundit do ta pranonte propozimin për shkarkim. Normalisht lind pyetja kush dhe nga i erdhi “mandata” Vishos për t’u dorëhequr?

La Femme Fatale
Pozita shpërndau në media shashkën tymuese të mësipërme për dorëheqjen e kanadezo-shqiptarit Visho. Berisha nëpërmjet Facebook-ut e lidhi dorëheqjen e Vishos me zbulimin prej tij të lidhjeve të Olsit (Rama) me drogën e Habilajve. Basha përsëriti tezën e Berishës në mënyrë të thatë e pllakative se Vishua u dorëhoq nën presionin e Ramës se zbuloi lidhjet e Ramës (Ols apo Ed nuk e shpjegon Lulzimi) me drogën.

Në gjykimin tonë, që ka shumë të ngjarë të certifikohet nga ngjarje të rënda gjysmën e parë të nëntorit, Vishua u dorëhoq sipas “formulës” franceze: “Cherchez le Femme”. Besoj se lexuesit i kujtohet shqipërimi i kësaj batute në filmin Kapedani: Sebepi i sherrit është femra!

OLGA
Në mediat shqiptare e në ndonjë blog të huaj (në gjermanisht) ka qarkulluar një variant për takime pune të Vishos sonë diku andej nga Karaçi i Pakistanit me një “Femme Fatale”, bukuroshen Olga, operative e FAPSI-t rus (si puna e NSA-së amerikane) dhe mikeshë e 007-s ruse Nikolai Oleshko.

Zgjimi nga gjumi i “Ariut Misha” këto 4 vitet e fundit në Shqipëri, riaktivizimi galopant i “rezidenturës” me metastaza që nga Shoqata e Miqësisë Rusi-Shqipëri e deri tek elementë grekë etnikë në përbërje të KOASH-it mund të jetë një shkak potencial për dorëheqjen e Vishos.

Shfrytëzimi  i neneve të Konventës së Vjenës të prillit 1961 për të ngritur te ish Vila e Bab Myslymit, qendër përgjimi me aparatura ultramoderne nën hundën e “djemve” të Vishos, mund të jetë një shkas shtesë për këtë dorëheqje.

Shtrirja e metastazave të SVR-së ruse në radhët e pozitës dhe opozitës në rangje deputeti, ministri, drejtori apo sekretari të përgjithshëm në ministri pa u neutralizuar, ose të paktën pa u dhënë  alarmi nga Vishua përbëjnë një shkak mëse të mjaftueshëm për këtë dorëheqje.  Në epokën Trump nuk ka vend për mikun e Olgës në krye të shërbimit sekret të një vendi aleat (NATO) si Shqipëria!

FATIMA
Një tjetër shkak për dorëheqjen e Vishos mund të jetë personazhi enigmatik FATIMA. Në 12 janar 2017 kushërinjtë mafiozë të personit në hetim Sajmir Tahiri i “varën kollaren” Sistemit modern TIMS në Portin e Vlorës.

Moisi Habilaj u imbarkua në tragetin e Linjës Vlorë-Brindizi pa u regjistruar fare në Sistemin TIMS (polici i turnit automatikisht me një veprim të tillë ka konsumuar veprën penale të shpërdorimit të detyrës).

Në faksimilet e dokumenteve ilustruese janë emrat e të gjithë pasagjerëve, që në datën 12 janar 2017 kanë udhëtuar me 2 (dy) tragete të ndryshme të Kompanive Red Star Ferries dhe European Ferries nga Vlora në Brindizi.

Dokumentet e TIMS System për pasagjerët që kanë dalë nga Vlora për në Brindizi në 12 Janar 2017

Sipas POLMAR-it (policia kufitare detare italiane), por edhe sipas “Elenco Passegeri”, të përpiluar nga agjencia detare e tragetit në fjalë në këtë datë kanë udhëtuar edhe persona të tjerë nga Vlora drejt Brindizit, pa u regjistruar në Sistemin TIMS.

Njeri prej tyre është Moisi Habilaj. Dy personat e tjerë janë 2 femra. Pra Sistemi TIMS thjesht ka falimentuar të paktën në Portin e Vlorës. Në mënyrë figurative mund të themi që në PKKK-në Vlorë mund të hyjë e të dalë edhe elefanti pa lënë gjurmë në “defterët” e agjencive ligjzbatuese shqiptare.

Njëra nga femrat e paregjistruara ështëshqiptarja B.A, e martuar me tre fëmijë, oficere policie dhe e dashura e Habilajt. Ky është fakt i turpshëm, por fundi i fundit nuk u bë qameti se në Shqipëri rrojmë, ku nënat me tre fëmijë mund të kenë edhe dashnorë, ku policet mund të dashurohen e të bëjnë turizëm në Itali edhe me një copë mafiozi!

Femra e dytë FATIMA (jo shqiptare etnike) ka përdorur një pasaportë italiane të falsifikuar, kur është imbarkuar në traget pa u regjistruar në Sistemin TIMS! Theksojmë se në listën e pasagjerëve të tragetit të përpiluar nga agjencia detare është edhe emri dhe numri i pasaportës italiane të FATIMA-së sonë.

Për lexuesin shpjegojmë, që Fatima është një nga operativet më të rrezikshme, më të pamëshirshme e më të mirëtrajnuara të ISIS-it. Hyrja e saj në Brindizi është këmbanë alarmi për Italinë fqinje, aleate dhe mike të Shqipërisë.

Kalimi i Fatimës nën hundën e policëve, karabinierëve, financierëve, doganierëve dhe ushtarakëve të Regjimentit Trieste, që janë stacionuar në Portin e Brindizit është një turp në kufijtë e skandalit, por ky është turp për italianët. Ne si shqiptarë kemi hallet tona!
Mjafton ky fakt për ta asgjësuar tezën e propaganduar me bujë vend e pavend, që Shqipëria eksporton siguri. Në këtë rast Shqipëria për shkak të mafiozëve Habilaj, ka eksportuar ose më mirë të themi tranzituar drejt një aleati të NATO-s një terroriste me damkë. Vishua, nëse kjo është arsyeja e dorëheqjes, normalisht do jepte dorëheqjen në këmbim të ambasadorllëkut në Angli apo në Kanada. Qeveria ngopet me lugë bosh me dorëheqjen e Vishos, ndërsa ky i fundit njëlloj si në kohën e Gazidedes del nga skena pa i hyrë ferrë në këmbë!

“Micot” e Vishos në Vlorë nuk dhanë alarmin për kalimin e terroristes FATIMA nga Vlora në Brindizi por me diabolizëm maksimal mblodhën provat për ta dokumentuar këtë kalim dhe njëkohësisht për t’ia lënë “kopilin” e terroristes Fatima, “Lady Jihad” siç e quajnë rëndom,  në derë qeverisë.

Nëse Fatima dhe të tjerë terroristë të lëshuar nga zinxhiri këtej dhe andej Adriatikut, si të thuash nga Gërmenji i Lushnjes në Milano, do të bëjnë ndonjë hata (stragia) ndër civilë italianë dhe civilë apo edhe ushtarakë amerikanë faturën do ta paguajë “I Gjati”, ndërsa Vishua do të shëtisë me makinë me flamur ambasadori andej nga Convent Garden-i. Pasojat për reputacionin e Shqipërisë, do të jenë katastrofike!

Në shkrimin tonë kemi dhënë dy shkaqe të mundshme të dorëheqjes së Visho Ajazi Likas, krye 007-s së Shqipërisë. I takon lexuesit për të vlerësuar, nëse këto dy shkaqe të mundshme janë shkaqet reale të dorëheqjes së Vishos apo jo! /Dita

Leave a Reply