Edi Rama në një intervistë personale dhe politike në Top Show

Kryeministri Edi Rama këtë të premte ishte i ftuar në “Top Show Magazine” me Alban Dudushin, në një intervistë të sa personale aq edhe politike. Rama foli për familjen, Zahon, vizitën e Vuçiç, zgjedhjet e 21 qershorit, garën e Tiranës e të tjera.

Intervista

Top Show: Është siklet të jesh me Ramën në këmbë, unë ndjehem në siklet për vete dhe mora vesh që këtë siklet e kishte edhe Vuçiç, kur ju akuzuan se vishni taka…

Edi Rama: Unë taka nuk vesh dhe në Serbi kanë “55” e tyre, kështu që merren edhe ata me budallallëqe.

Top Show: Ata bënë krahasim mes dy vizitave. Në Shqipëri dukesh me afër, kishte veshur taka ai?

Edi Rama: Ndoshta për shkak të mikpritjes ishte e nevojshme që të vija vizë në të njëjtën lartësi. Unë jam pak më i gjatë, shumë pak.

Top Show: U tha që takimi në Shqipëri ishte një miqësi e lindur, ishte si puna e dy njerëzve që zihen e më pas bëhen miq…

Edi Rama: Miqësi e lindur jo, por një marrëdhënie që falë asaj që ndodhi në Beograd, ka një bazë solide, sepse u thanë disa të vërteta të hidhura, por pa këto të vërteta, nuk ka një marrëdhënie të qëndrueshme afatgjatë. Në Tiranë u thanë gjërat që duheshin thënë, dhe ajo që është më e rëndësishmja është që pavarësisht se çfarë tha kryeministri i Serbisë, atmosfera dhe pritja që i rezervoi publiku dhe media, bëri një dallim shumë të madh, gjë që është një arsye për t’u ndjerë mirë.

Top Show: Mund të quhemi të pajtuar ne pas gjithë kësaj?

Edi Rama: Jemi të pajtuar, por ajo që ka rëndësi nuk është paqja, por ajo çfarë do të bëjmë me paqen. Paqja ka ardhur si rezultat i aspiratës së përbashkët të popujve për t’u bërë pjesë e familjes europiane. Ka qenë një përputhshmëri mes aspiratës së popujve të rajonit dhe vullnetit të lidershipit në rajon në këtë moment.

Top Show: Duket si një miqësi nga halli më shumë sepse pa paqe, pa shtrënguar ju duart, para nuk ka.

Edi Rama: Miqësi nga halli nuk ka. Besoj që janë pjekur kushtet për të ndërtuar një rrugë të re të përbashkët dhe nuk është se jemi ne të parët që po bëjmë diçka të tillë. Shembulli i Francës dhe Gjermanisë është tipik. Sot janë dy shtyllat që mbajnë Bashkimin Europian, është një shembull që ne mund ta jetësojmë në rajonin tonë. Besoj që Shqipëria dhe Serbia, shqiptarët dhe serbët janë dy forcat që kanë në dorë fatet e rajonit tonë. Nga mënyra sesi do të bashkëjetojmë, do të varet shumë sesi do të jetë mirëqënia në rajon dhe Ballkani nesër në panoramën e Europës.

Top Show: Për 1 Qershor, çfarë dhurate bëre?

Edi Rama: Besoj që bëmë gjënë e duhur sepse nisëm realizimin e Parkut Olimpik të Tiranës, që është pjesë e transformimit të gjithë zonës. Sa i përket djalit, ka kaluar me shpejtësi disa faza rritjeje dhe më 1 Qershor veshi për herë të parë sandale.

Top Show: Pse nuk i keni publikuar asnjë foto të tij?

Edi Rama: Djalin nuk e kemi objekt kurioziteti. Për kuriozitet shkohet në kopsht zoologjik, në kopsht botanik, kuriozitet për fëmijët nuk ka.

Top Show: Kur e gjen kohën të rrish me djalin?

Edi Rama: Në zgjim na përkojnë oraret, rreth orës 7 pa çerek. Kemi një kohë që rrimë bashkë, pastaj sigurisht të dielave paradite unë githmonë kam qejf që të rri vetëm me Lindën dhe me Zahon.

Top Show: Mes teje dhe Lindës, kujt i ngjan më shumë Zaho?

Edi Rama: Është një sintezë e të dyve dhe unë nuk i hyj kësaj gare kujt i ngjan, kujt s’i ngjan. I ngjan vetes së vet. Ne e kemi dhënë kontributin tonë, se kujt i ngjan është…

Top Show: Urojmë që t’i ngjajë bashkëshortes tuaj…

Edi Rama: Unë do të isha më i lumturi nëse i ngjan me të gjitha bashkëshortes time se do isha i sigurtë që do isha gjithmonë në drejtimin e duhur. Kam mësuar nga jeta që po qe puna në drejtim, burrat e humbasin, gratë janë ato që e mbajnë gjithnjë drejtimin.

Top Show: Ti e ke humbur herë pas here?

Edi Rama: Unë? Po si thua ti?

Top Show: Tani o je burrë e ke humbur drejtimin, ose s’je burrë dhe s’e ke humbur drejtimin?

Edi Rama: Përderisa po e them me kaq siguri, dmth që e kam provuar veten që edhe e kam humbur drejtimin, sepse u bënë 50 tani. 50 vjet në drejtimin e duhur është jetë e mërzitshme.

Top Show: Si është të jesh 50 vjeç baba me një djalë që nuk ka bërë 1 vjeç akoma?

Edi Rama: Zaho është personazh…me atë që prisja, jam shumë i lumtur. Unë prisja që do bashkëjetoja me një fëmijë që s’do më linte të flija, s’do më linte të përqendrohesha dhe plus frika që do më ngjante mua, sepse sipas tregimeve të nënës time, unë deri në moshën 2 vjeç, nuk kam pushuar së qari dhe flija shumë, shumë pak. Zaho është shumë më i qetë.

Top Show: Nga kjo ardhje në jetë e Zahos, si i ke marrëdhëniet sot me gjinekologët?

Edi Rama: Unë di që nga ardhja në jetë e Zahos, i kam marrëdhëniet shumë të mira me gruan, për gjinekologët duhet të pyesni gruan, se gjinekologu s’është pjesa ime.

Top Show: Aq më tepër që është një gjinekolog që ju ka ftuar për kafe, ju ka ftuar publikisht dhe do të pijë një kafe me ju?

Edi Rama: Ka 22 qershor. Unë më 22 qershor do t’i jap kafen Halimit dhe do ta inkurajoj që të jetë në lartësinë e detyrës, kur të kthehet në maternitet, sepse na duhet atje, nuk na duhet në bashki. Për Halimin kam një vlerësim të përgjithshëm si gjinekolog. Është bërë një spekullim që unë i kam dhënë dekoratë e ku di unë. Kur ishim bashki bënim çdo vit vlerësimin e 10 personaliteteve të qytetit, qytetarë të dalluar, që i bënim mbi bazën e propozimeve dhe në një nga këto audicione ka fituar doktori. Nuk kam asnjë dyshim dhe nuk kam pse dyshoj që ai është gjinekolog i zoti dhe për këtë duhet të kthehet në maternitet, se unë nuk e kuptoj se çfarë bën vërdallë, sa në parlament, sa në fushatë. Ndaj them që të gjitha gratë duhet të votojnë Erionin edhe për Halimin. T’i gjejmë punës njeriun dhe jo njeriut punën. Besoj që duke pas Erionin kryetar bashkie, Halimin drejtor materniteti, kemi gjetur vendin e duhur për këta dy njerëz, ndaj dhe gratë duhet të votojnë Erionin për t’i bërë mirë edhe Halimit. Sa i përket asaj që tha që çifliku a ku di unë, unë e kam shumë të thjeshtë bisedën. Unë nuk them jepjani votën atyre, them një gjë që është shumë e thjeshtë, këto zgjedhje që kanë një natyre të veçantë, janë zgjedhje për bashkinë, për çdo familje sepse nëse brenda mureve të shtëpisë tënde gjithçka varet nga ty, sapo del nga muret e shtëpisë, të gjitha gjërat e tjera varen nga bashkia. Këta nuk flasin fare për çështjet e pushtetit vendor, i ke dëgjuar të flasin për këtë? Kurrë!

Top Show: Kjo është e natyrshme, edhe ju në opozitë thatë në 2007, edhe në 2011 thatë që po votuat sot të majtën, nesër rrëzohet Berisha nga pushtetit…

Edi Rama: Po ju them që kush do të votojë kandidatët tanë do të ketë njeriun e duhur për të bërë këto punë që po flasim. Për fat të keq PD nuk ka asnjë model. Nuk ka asnjë qytet apo komunë që të thotë që ne kemi filan model. Nuk kanë lidhje me këtë punë. Kanë një problem shumë të madh që do të vazhdojë t’u zmadhohet derisa ta trajtojnë seriozisht dhe ta zgjidhin, kanë një raport të gabuar me shtetin, ndërkohë që ne dimë të bëjmë shtet. Çdo parti kërkon të fitojë kudo ku garon. Edhe PD thotë të njëjtën gjë.

Top Show: Shumica e kandidatëve të opozitës janë trembur që nëse do ta fitojnë nuk do të mbështeten me fonde nga ana juaj.

Edi Rama: Unë s’e kam thënë asnjëherë që nuk do t’i mbështesim. Unë kam thënë që po t’i jepni votën atyre merrni veten në qafë, sepse ata nuk janë të vendosur aty për të bërë punë dhe nuk do të bashkëpunojnë, por do të bëjnë vetëm sherr. Unë kam fakte për këtë. Në 18 muaj si kryeminsitër kam pasur vetëm një rast që një kryetar bashkie i PD, të më ketë kontaktuar për të kërkuar mbështetje, as kanë ardhur, as kanë çuar projekte, as të trokasë e të thotë; unë dua këtë për komunitetin tim. SHQUP-i do që t’i ketë kryetarët e njësive vendore, ushtarë politikë. PD ka probleme në raportin në ndërtimin e shtetit. Ne kemi modele që janë pika referimi.

Top Show: Halim Kosova ka treguar në fushatë që është distancuar, edhe në slogan, nga 4 vitet e mëparshme të qeverisjes së Tiranës. Ka identifikuar problemet, gjërat që nuk janë bërë dhe premton se do t’i bëjë.

Edi Rama: Fakti që këtë arriti ta bëjë edhe doktor Halimi, dmth që është kaq kollaj që të dalësh e të flasësh, por duhet edhe të thuash si.

Top Show: Është e mundur që Tirana të ketë një tramvaj dhe një metro?

Edi Rama: Unë besoj që historia e tramvajit ishte një histori absurde dhe siç janë këto tani, që thonë na votoni ne që të keni taksat më të ulta në Ballkan, që të ulim energjinë. Dakort ja po i votojmë, si do i bëjnë këto? Më 21 qershor votohet për bashkitë. Këto nuk janë fare tema për lojën e bashkive. Këta e kanë të qartë, lojën e tyre hedhin grepin dhe të kapin ç’të kapin. Tirana nuk ka sot asnjë mundësi të ketë një linjë tramvaji dhe sot nuk ka nevojë për tramvaj. S’është tramvaji problemi i Tiranës.

Top Show: Keni zgjedhur njerëz të rinj që të jenë papagaj tuaj, të paktën kështu thotë PD-ja. Njerëz që flasin dhe vetëm flasin…

Edi Rama: Këto janë pjesë të fushatës, por sërish nuk ma heqin respektin për papagallin.

Top Show: Për Erionin, një nga kritikat ishte që mundohet të imitojë Ramën, por nuk ka fantazinë e tij për fushatë…

Edi Rama: Në katër vitet e ardhshme, me Erionin në krye ne do të bëjmë shumë për Tiranën. Nëse deri sot flitet për Tiranën e Edi Ramës mbas 4 viteve nuk do të thuhet më kështu, pasi do të bëhen punë shumë të rëndësishme. Për sa i përket vetë Erionit, unë i vlerësoj njerëzit nga ajo që bëjnë dhe ajo që thonë. Puna e Erionit në ministri, ka qenë një punë shembullore dhe ai ka udhëhequr disa reforma rrënjësore, që nga pensionet, shërbimi kombëtar i punës, ndihma ekonomike e deri te projekti për hapjen e dosjeve. Në punët e bëra, përveç këtyre që janë në legjislacion, ai ka bërë më shumë se çfarë është bërë nga ajo ministri gjatë gjithë këtyre viteve. Ai është një person me shumë imagjinatë dhe shkathtësi, duke i dhënë zgjidhje problemeve që duken shumë të vështira. Në gjithë këtë periudhë, në krye të qeverisë, kam privilegjin që të punoj me njerëz si Erioni dhe të tjerë, të cilët i dëgjoj me shumë vëmendje. Ndërsa, për sa i përket historisë së papagajve, shqiptarët e dinë mirë se kush janë papagajtë e vërtetë. Te “SHQUP”-i keni dhe kafazin dhe papagajtë.

Top Show: Në prag të këtyre zgjedhjeve mund të jeni i frikësuar për dy gjëra. Pika e parë, që fitorja do të jetë aq e thellë sa do të keni një barrë të madhe për të qeverisur më pas…

Edi Rama: Fitoren nuk e vendosim ne, por njerëzit. Përderisa kam marrë përgjegjësinë për të drejtuar këtë parti dhe qeveri nuk më tremb besimi i njerëzve, përkundrazi më motivon. Ne na takon të jemi në nivelin e besimit të tyre.

Top Show: Pika e dytë, sondazhet jo gjithmonë tregojnë të vërtetën. A keni frikë nga një rezultat befasues?

Edi Rama: Sondazhet vlejnë për aq sa vlejnë. Ne bëjmë sondazhe prej shumë kohësh. Ne kemi bërë sondazhe me publikun në lidhje me çështje të ndryshme, dhe e dimë shumë mirë se si është mbështetja ndaj nesh. Për këtë arsye nuk jemi të frikësuar. Unë e kam bindjen se shqiptarët duan reforma dhe i mbështesin ato kur ato janë reale, por nuk ka reforma pa kosto. Më thoshin ndale reformën e energjisë, por 80% e shqiptarëve e kanë mbështetur atë që ne kemi bërë me energjinë. Ndërkohë, 90% e shqiptarëve kanë mbështetur mbylljen e universiteteve, njerëzit tashmë janë të vetëdijshëm.

Top Show: Në fund të 2014-s deklaruat se më e keqja kaloi, por nuk po jep shenja as 2015-a?

Edi Rama: Ku e bazon këtë? E para, më e keqja kaloi, pasi ne ishim në një rrezik real. Kur një rrezik kalon dhe nuk ndodh, ai nuk vlerësohet. Ajo që ne kemi shmangur është një e keqe që mund ta fuste Shqipërinë në një kolaps ekonomik dhe energjetik. Askush nuk pranonte me të jepte asnjë borxh dhe shërbim për Shqipërinë. Kompanitë e ilaçeve nuk pranonin më të jepnin ilaçe për Shqipërinë. Bizneset ishin në kolaps të plotë. Ne kemi shlyer deri tani 550 milionë dollarë borxhe ndaj biznesit.

Top Show: Por duhet të ishin në treg, por nuk janë?

Edi Rama: Atëherë nga ka ardhur rritja ekonomike? Këtë vit parashikojmë një rritje ekonomike 2.7% deri në 3%, por rritja reale duket te konsumi dhe eksportet. Ekonomia jonë ka qenë e bazuar te dërgesat e emigrantëve, ndërtimet dhe borxhet e qeverisë. Por, kjo rrugë tashmë ka marrë fund, pasi dërgesat e emigrantëve kanë rënë ndjeshëm. Bumi i ndërtimeve është tejkaluar, pasi ajo epokë ka përfunduar tashmë. Ne e ndryshuam modelin ekonomik duke u mbështetur te burimet e qëndrueshme. Vitin e kaluar pati një rritje të importit të makinerive, por këtë vit rritja është më e madhe sepse ka një tendencë për të rritur prodhimin vendas. Kjo do të thotë më shumë vende pune dhe më shumë të ardhura. Këtë vit ne presim një bum të rritjes së eksportit në bujqësi. Ne duhet të rrisim investimet e huaja, por investimet reale të huaja kërkojnë një fazë përgatitore. Të gjitha këto së bashku, nuk janë arsye që ne kemi arritur në destinacion, por ne jemi në rrugën e duhur. Një kancer nuk kapërcehet me aspirina, por do agresivitet për ta mundur sëmundjen. Aktualisht në Lezhë nga 18 mijë hektarë punoheshin vetëm 7% pasi nuk kishte ujë. Ne në këtë periudhë e kemi çuar sipërfaqen e punuar në mbi 6 mijë hektarë, duke mundësuar ujin për vaditje. Kjo nuk tregon se ne e bëmë të zezën të bardhë, por impaktet do të jenë afatshkurtra, të mesme dhe afatgjata. Arsimin nuk mund ta kemi realitet për një periudhë të shkurtër, por për një hark kohorë 5-vjeçar, ne duhet ta vëmë në rrugën e duhur.

Top Show: Ju dhatë shembull Lezhën, por është dhe Shishtaveci, ku prodhimi është i madh, por banorët nuk e shesin dot atë. Njerëzit filluan të largohen…

Edi Rama: Shishtaveci kishte mbiprodhim patateje, por nuk kishte treg dhe rrugë. Ne kemi filluar dhe do ta përfundojmë së shpejti rrugën deri në Shishtavec. Ndërkohë kemi siguruar edhe treguan për pataten e Shishtavecit.

Top Show: Por, kur këto të realizohen atje nuk do të ketë më njerëz, pasi po largohen…

Edi Rama: Lërini këto barcaleta. Njerëzit janë aty, toka është aty dhe ne po punojmë që ata njerëz t’ja shohin hajrin kësaj pune.

Top Show: Njerëzit prisnin të ishin hapur gjysma e vendeve të punës të premtuara deri në këtë periudhë qeverisje…

Edi Rama: Ne nuk kemi ndërprerë asnjë punë dhe asnjë proces edhe pse jemi në fushatë. Nëse thua se punësimi nuk është rritur e ke gabim. Zotimet e një parti politike nuk mund të realizohen që të nesërmen që ajo vjen në pushtet. Pas ndeshjes me Serbinë, unë thash se do të ndërtonim stadiumin e Shkodrës. Pas tre ditëve më shkruanin “mashtrues ku e ke stadiumin”. Por ku e di ai se si bëhet stadiumi. Shërbimi shëndetësor ka pësuar ndryshime reale, por ende nuk është ai që ju pretendoni, pasi në një periudhë të shkurtër kjo është e pamundur. Ndërsa punësimi nuk llogaritet kështu si e vlerësoni ju. Ne kimi një projekt që kemi nisur në Parkun e Spitallës në Durrës. Me realizimin e këtij projekti ne synojmë të hapim rreth 30 deri në 40 mijë vende pune vetëm atje. Por ky projekt kërkon kohën e tij për t’u realizuar.

Top Show: Ke kaluar shumë faza në jetën tënde. Ke qënë një artist i lirë, ke qenë… Kur do bëhesh sërish një njeri i lirë?

Edi Rama: Kur shoh paraardhësin tim në parlament, mendoj se miqtë e mi nuk do më lënë të katandisem në atë gjendje. Unë jam sot Kryeministër, por nuk kam ndërmend që mbasi të lë këtë detyrë të vazhdojë ende. Unë mendoj se ka një cikël për çdo njeri që merret me politik, nuk është si artisti, nuk është si shkrimtari. Për mua kjo nuk ka qenë asnjëherë një zanat, por një mundësi dhe një pasion. Unë jam i bindur se do të ketë edhe një jetë të tretë për mua. Deri tani jetën time e ndaj në dy, pjesën e artistit dhe pjesën e një njeriu të dhënë komplet ndaj politikës. Mendoj, besoj dhe do punoj që të ketë dhe një të tretë, ku mbase mund t’i bëj të gjitha këto nga pak, por si një njeri i lirë.

Top Show: Por jeni i ri ende, zoti Rama dhe aq më tepër që po e shtyni moshën e daljes në pension.

Edi Rama: Pikërisht se jam i ri mendoj se kam akoma një jetë tjetër dhe mund të bëjë gjera të tjera. Një nga gjerat që unë dua të bëj është rrobaqepës. Megjithëse ende nuk e kam të qartë akoma se çfarë do të bëj.

Leave a Reply