Ekzekutohet ish-boksieri shqiptar në Gjermani

38-vjeçari Besar Nimani u qëllua jashtë një lokali

Ish-boksieri shqiptar Besar Nimani u ekzekutua në një atentat mbrëmjen e së shtunës në qytetin e Bielefeldit në Gjermani.

Mediat vendase shkruajnë se së bashku me 5-6 persona të tjerë ai po qëndronte në një restorant dhe rreth orës 18:30 ai është larguar.

Por jashtë e prisnin 2 autorët që kanë hapur zjarr ndaj shqiptarit me origjinë nga Kosova. Dëshmitarët thanë se dëgjuan 6 deri në 8 të shtëna. Sipas të njëjtave burime autorët janë larguar me vrap në këmbë.

Në vendin e ngjarjes mbërriti më pas policia dhe mjekët e urgjencës. Ata konstatuan se shqiptari kishte humbur jetën menjëherë për shkak të plagëve të marra dhe se ka qenë e pamundur të bëhej diçka për shpëtimin e tij.

Në filtër po kalojnë kamerat e sigurisë në zonë me qëllim identifikimin e autorëve. Janë duke u pyetur edhe familjarë të viktimës për të mësuar nëse 38-vjeçari kishte pasur konflikte të hapura.

Nimani ka qenë kampion i Gjermanisë dhe i Evropës për brezin IBF, në peshën e mesme të lehtë.

Gjatë kësaj kohe ai ka rënë disa herë në konflikt me ligjin. Rezulton se ndaj tij ka pasur një tentativë vrasjeje edhe në vitin 2013 kur kishte pasur një konflikt me disa persona. 6 muaj më parë ai u dënua me gjobë për lëndime trupore ndaj një personi.

Leave a Reply