Presidenti turk RecepTayyip Erdogan, ka kritikuar sot Shtetet e Bashkuara për mbështetjen dhënë Partisë Demokratike kurde të Unitetit (PYD) në Siri, duke theksuar se rajoni është shndërruar në një “pishinë gjaku”, për shkak të paaftësisë së Uashingtonit për të kuptuar natyrën e vërtetë të këtij grupi.
“Hej, Amerikë… pasi kurrë nuk e ke pranuar (që janë grup terrorist), rajoni është shndërruar në një pishinë gjaku”, ka deklaruar Erdogan, duke iu referuar anëtarëve të PYD dhe pjesëtarëve të njësive mbrojtëse kurde (YPG), transmeton Telegrafi.
Turqia e konsideron PYD si organizatë terroriste, raportojnë mediet turke.
“A jeni në anën tonë apo të terroristëve të PYD dhe Partisë Punëtore Kurde (PKK)”, ka shtuar Erdogan.
Ankaraja pretendon se grupet kurde në Siri janë degë të PKK-së, të cilët Shtetet e Bashkuara i konsiderojnë si grupe terroriste, që gjatë muajve të kaluar kanë kryer një seri sulmesh vdekjeprurëse në Turqi. /Telegrafi/