Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan propozoi ndërtimin e një qyteti të ri në pjesën veriore të Sirisë, ku do të vendosen refugjatët të cilët e braktisën vendin e tyre për shkak të luftës.
Erdogan në fjalimin e mbrëmshëm në Stamboll theksoi se qyteti i ri do të ndërtohej në afërsi të kufirit turk, duke shtuar se për këtë ide ka biseduar edhe me presidentin amerikan Barak Obama.
“Do t’ju tregoj diçka. Zgjidhja është të krijojmë një qytet në pjesën veriore të Sirisë. Biseduam për këtë ide edhe me Obamën dhe madje përcaktuam koordinata, por plani ende nuk ka filluar të realizohet”, theksoi shefi i shtetit turk.Ai sqaroi se qyteti mund të shtrihet në sipërfaqe prej 4.500 kilometra, ndërsa infrastruktura e tij mund të ndërtohet në bashkëpunim me bashkësinë ndërkombëtare.
Autoritetet turke janë munduar shumë herë t’i bindin aleatët e tyre perëndimorë, që të ndihmojnë gjatë vendosjes së zonave të sigurisë në Siri, ku do të vendosen refugjatët, por kjo është hera e parë që Erdogan propozon ndërtimin e një qyteti të tërë.
Në Turqi për momentin gjenden rreth 2,7 milionë refugjatë sirianë.