“Urimet dhe përshëndetjet paskan qenë opium për Shaqir Fetain! Nën këtë efekt me fuqinë narkotike, Shaqir Fetai ka shumë qejf të shprehë parreshtur urime dhe përshëndetje. Urimi i fundit i tij është data e “8 Marsit”, dita kur para një shekulli gratë socialiste fituan disa të drejta
Shkruan Fatime Emini
8 Marsi shënon një nga ditët e lëvizjes së grave socialiste dhe, deri më vitin 1975 festohej kryesisht në vendet komuniste. Më vitin 1975, me sugjerim të Kombëve të Bashkuara u pranua si Dita Ndërkombëtare e Gruas.
Pikërisht këtë revolucion të para një shekulli të lëvizjes së grave socialiste, kur arritën të fitojë drejtësi e privilegje gati si të burrave, e uron Shaqir Fetai.
Por, ka një hile këtu! E gjuan gurin dhe e fsheh dorën, sepse e di që po bën një veprim komunist, po lartëson një “revolucion” apo një reformë të njerëzimit, e cila kurrë nuk mund t’ia kalojë, për shembull, gruas së parë që pranoi Islamin, Hazreti Hatixhes!
Ky është momenti i revolucionarizmit të gruas në botë, ky është çasti kur Allahu i Mëshirshëm, përmes Shpalljes, i përcaktoi të gjitha të drejtat, obligimet, kompetencat, detyrat dhe punët e gruas, duke e lartësuar atë deri në qenien nën shputën e së cilës gjendet Xheneti për çdo mashkull! Këtu pastaj merr fund “çdo revolucion femëror”, çdo angazhim sipërfaqësor feminist. Në Rusinë Sovjetike, më vitin 1917, 8 Marsi u bë si ditë kombëtare meqë në këtë ditë gruaja socialiste e fitoi të drejtën e votës! Pesëmbëdhjetë shekuj më parë, GRUAJA MYSLIMANE, Hazreti Ajsha, Nëna e myslimanëve, shquhej si prijëse e njohurive mbi Sunnetin e Pejgamberit a.s., fjala e saj dëgjohej e respektohej, urdhërat e saj zbatoheshin e nuk kishte “parlament mysliman” që t’i rrëzonte urdhërat e saj.
Shaqir Fetai, këtë urim të ditës së grave socialiste e kamuflon përmes një titulli të denjë për analizë, për studim mbi gruan si shtyllë e familjes dhe njerëzimit!
Shaqir Fetai urimin e vet për “8 Mars” e përmbyllë me: “…kjo ditë që i kushtohet festës së gruas, nënës, vajzës – 8 Marsi – le të jetë një ditë e inspirimit për të ngritur femrën, gruan në piedestalin më të lartë të edukimit…”
Gabim fatal, i nivelit të xhahilit, përpjekja e Shaqir Fetait për ta barazuar 8 marsin e para një shekulli me festën më të shenjtë që nga çasti kur zbriti Shpallja e cila e ngriti gruan myslimane atje ku gratë e feve dhe kombëve të tjera do të mundohen ta provojnë 13-14 shekuj më vonë.
8 marsi nuk është as festë kombëtare, as shtetërore dhe aq më pak fetare apo religjioze. 8 marsi është festë ideologjike e sistemit më të egër e më të pashpirtshëm në raport me fetë qiellore. Pranda, një teologu nuk i ka hije të shprehë urata për një festë të tillë ideologjike. Shaqir Fetait mbase edhe i ka hije një festë e tillë, prandaj: gëzuar 8 marsin, Shaqir Fetai!/Lajme7/