Gjiknuri: Qeveria miraton 62 zonat e rrezikshme minerare

Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri, në një deklaratë për shtyp pas mbledhjes së qeverisë ditën e mërkurë, deklaroi se “nga kontrollet e kryera kanë rezultuar të rrezikshme 62 zona minerare, ku do të ndalohen aktivitetet ilegale që rrezikojnë jetën e banorëve”. Praktikisht, aktiviteti minerar pezullohet në një pjesë të zonës D në Bulqizë, pasi përbën një zonë të rrezikshme.

“Vendimi rishikon dhe përcakton 62 zonat e rrezikshme minerare, kryesisht në Bulqizë dhe Batër, në të cilat do të jetë e ndaluar dhënia e lejeve dhe ushtrimi i aktivitetit minerar. Konkretisht, në rajonin krommbajtës të Bulqizës, do të ndalohet ushtrimi i aktivitetit minerar në një pjesë të Zonës D e cila konsiderohet me rrezikshmëri për jetën. Përcaktimi i zonave të rrezikshme do rrisë sigurinë për jetën e minatorëve. Do të revokohen tërësisht lejet kur zonat tyre të shfrytëzimit janë vendosur në pjesën më të madhe mbi zonën e rrezikshme. Gjithashtu, do revokohen pjesërisht lejet kur zonat e tyre të shfrytëzimit janë vendosur një pjesë mbi zonën e rrezikshme. Në total, janë rreth 18 leje shfrytëzimi të cilat do të revokohen duke patur si objektiv kryesor rritjen e sigurisë në punë dhe ndalimin e aktivitetit në pjesën e rrezikshme. Në koordinim me Policinë e Shtetit dhe Inspektoratin e Punës do të bëhet monitorimi i këtyre zonave të rrezikshme që të ndalohet çdo aktivitet ilegal që cënon jetën e qytetarëve”, tha ministri Gjiknuri.

Rikthimi i sektorit minerar në binarët e ligjit, vijoi ministri, do të thotë siguri më e madhe për minatorët dhe përfitime më të mëdha për buxhetin e shtetit.

Leave a Reply