Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç nuk i ka miratuar amendamentet e Ligjit mbi liritë fetare, ligj ky që është kritikuar nga serbët etnikë dhe Kisha Ortodokse Serbe.
Gjukanoviç i ka kthyer amendamentet në parlament, së bashku edhe me gjashtë ligje të tjera, që u miratuan nga koalicioni qeverisës, tha zyra e tij më 2 janar.
Në total, 41 deputetë të koalicioni qeverisës, që përbëhet nga partitë pro-serbe, kanë mbështetur amendamentet e Ligjit për lirinë fetare gjatë votimit më 29 dhjetor, 2020. Opozita ka bojkotuar votimin e këtyre amendamenteve.
Zyra e presidentit ka thënë se është e paqartë nëse numri i nevojshëm i ligjvënësve ishte i pranishëm në parlament gjatë votimit.
Pas kthimit të Ligjit për liritë fetare nga ana e presidentit, kryeministri malazez, Zdravko Krivokapiç ka shkruar në Twitter se ky “gjest i njeriut të parë të shtetit tregon më së miri se si funksionon bashkëjetesa në praktikë”.
Ndërkaq, zëvendëskryeminsitri Dritan Abazoviq, përmes një postimi në Twitter, tha se nëse Gjukanoviç “shkel Kushtetutën, do ta zëvendësojmë atë”.
Gjukanoviç udhëheqë me Partinë Demokratike të Socialistëve, që tashmë është në opozitë.
Nëse deputetët votojnë sërish për amendamentet, presidenti është i obliguar që t’i miratojë ato.
Sipas Ligjit për liritë fetare, që është miratuar vitin e kaluar, komunitetet fetare duhet të dëshmojnë se janë pronarë të pronave para vitit 1918.
Qeveria e re – që doli pas zgjedhjeve të gushtit – ka thënë se do ta ndryshojë ligjin me qëllim që të sigurohet se pronat do të mbeten në dorën e Kishës, që selinë e ka në shtetin fqinj, Serbi.
Parlamenti i Malit të Zi ka miratuar ndryshimet në Ligjin për liritë fetare më 29 Dhjetor. Ndryshimet e miratuara fshin nenet nga versioni i mëparshëm i Ligjit për liritë fetare në të cilat përcaktohej se “të gjitha ndërtesat fetare që përfaqësojnë trashëgiminë kulturore dhe ishin pronë e shtetit të Malit të Zi para humbjes së pavarësisë së tij më 1918 dhe që më vonë nuk janë bërë pronë e një komuniteti fetar në mënyrë të përshtatshme ligjore, do të njihen si pronë e shtetit”.
Ky nen ishte i papranueshëm për Kishën Ortodokse Serbe, e cila menjëherë pas miratimit të versionit të parë të ligjit, në dhjetor 2019, nisi protesta të gjera, me mbështetjen e shumicës së opozitës së atëhershme, duke besuar se Partia Demokratike e Socialistëve që atëbotë ishte në pushtet, po përpiqej të “vidhte pronën e kishës” me ligj.
Kisha Ortodokse Serbe dhe mbështetësit e saj si dhe partitë pro-serbe, pretendojnë se ky ligj i lejon Qeverisë malazeze t’i marrë pronat e kishës, edhe pse zyrtarët mohojnë se synojnë të bëjnë një gjë të tillë.
Serbia dhe Mali i Zi kanë qenë pjesë e një federate deri më 2006, kur Mali i Zi shpalli pavarësinë.
Mali i Zi është pjesë e NATO-s dhe aspiron që të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian. /REL