Gjykata regjistron Komisionin e Rithemelimit të PD

Gjykata e Tiranës ka regjistruar ndryshimet statutore të bëra në Kuvendin e 11 Dhjetorit, duke legjitimuar në këtë mënyrë Komisionin e Rithemelimit.

Vendimi i marrë nga gjyqtari Agron Zhukri, i hap rrugë marrjes së drejtimit të Partisë Demokratike nga 29 anëtarët e Komisionit të Rithemelimit, i cili përmes votës së 4935 delegatëve në Kuvendin e 11 Dhjetorit shkarkoi nga postet drejtuese Lulzim Bashën, nënkryetarët, Sekretarin e Përgjithshëm dhe Kryesinë.

Me regjistrimin në gjykatë të statutit të 11 Dhjetorit, gjykata i njohu Komisionit të Rithemelimit të drejtën e rikthimit në selinë e Partisë Demokratike, si dhe vulën e simbolet e reja të miratuara në Kuvendin e jashtëzakonshëm.

Ndryshimet statutore parashikojnë gjithashtu që nëse kryetari i Partisë Demokratike humbet zgjedhjet, mandati i tij përfundon pa asnjë ekuivok. Nëse humbet zgjedhjet lokale, kryetari kalon në votëbesim.

Statuti i regjistruar në Gjykatë parashikon gjithashtu edhe legalizimin e fraksioneve, vendosjen e primareve në zgjedhjen e organeve drejtuese të Partisë Demokratike, shkurtim të numrit të anëtarësisë si dhe anulimin e Kuvendit Kombëtar të 18 Dhjetorit të thirrur nga Lulzim Basha.

Sipas statutit, Komisioni i Përkohshëm do ta drejtojë partinë deri në zgjedhjen e kryetarit të ri.

Leave a Reply