Ka përfunduar dëshminë e saj dëshmitarja e para e Prokurorisë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi. Dëshmitarja e mbrojtur ishte dëgjuar për më shumë se tri ditë tërësisht në seanca private.
Trupi gjykues ka pranuar mocionin e mbrojtjes së Rexhep Selimit për mospranimin si provë të një pjese të dëshmisë së saj. Ndërsa ka nisur dëshminë dëshmitari i dytë, e cila sipas gjykatës do të zgjasë të paktën pesë ditë. Dëshmitari i dytë, që u tha se ka qenë pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës, po intervistohet për organizimin e kësaj partie nga viti 1990. Ai u pyet nga Prokuroria nëse kishte struktura të LDK-së në Malishevë gjatë atij viti.
“Ne e kemi i pa si institucione të Kosovës që kanë punuar nga delegatët e Kosovës dhe për ne ka qenë sistem i njerëzve të Kosovës. Ato institucione udhëhiqeshin nga Ibrahim Rugova, Bujar Bukoshi e të tjerët”.
Ai tha se shqiptarët e përkrahnin LDK-në në vitet ’90 dhe ka folur për strukturën e degës së LDK-së në Malishevë atëherë. Një pjesë e procesit kaloi në seancë të mbyllur.
Lidhur me këtë dëshmitar, avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson ka ngritur një çështje në seancë private. Ndërsa më vonë, nga Zyra e Prokurorit të Specializuar kanë deklaruar se e kundërshtojnë një kërkesë të mbrojtjes së Hashim Thaçit dhe për këtë kanë bërë të ditur se do të dorëzojnë parashtrim.
Procesi gjyqësor ndaj Thaçit dhe të tjerëve ka nisur pas më shumë se dy vjetësh. Ata janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës. Ish-krerët e UÇK-së po gjykohen për krime të pretenduara të luftës.