Grida Duma, “Gruaja e vitit 2015” në politikë

Koalicioni për Gratë dhe të Rinjtë në Politikë në bashkëpunim me Shtëpia e të Drejtave të Njeriut / CRCA Shqipëri dhe me mbështetjen e Olof Palme International Center, bëri sot publike fitueset e Vlerësimit Kombëtar “Gruaja e Vitit 2015″ në Shqipëri.

Çmimi Gruaja e Vitit në kategorinë Politikë shkoi për znj. Grida Duma, Koordinatore për Marrëdhëniet me Publikun në Partinë Demokratike (1743 vota ose 39 % e 4431 votave të dhëna për gratë në politikë).

Çmimi Gruaja e Vitit në kategorinë Media shkoi për znj. Eni Çobani, Ndërmjetëse – Drejtuese e rubrikës ‘Shihemi në gjyq’ në Televizionin Klan, në programin “E Diela Shqiptare”, (697  vota, ose 23 % e 3002 votave të dhëna për gratë në media),

Çmimi Gruaja e Vitit në kategorinë Shoqëri Civile shkoi për znj. Flutura Xhabija,  Drejtuese e Shoqatës Kombëtare të Grave Profesioniste, Afariste dhe Zejtare ( 753 vota, ose  24 % e 3059 votave të dhëna për gratë në shoqëri civile).

Kjo iniciativë, e lançuar për herë të parë në vitin 2014, ka për qëllim të fuqizojë kauzën e të drejtave dhe avancimit të grave dhe vajzave në Shqipëri, si një mjet që kontribuon në evidentimin dhe mbështetjen e tyre  në fusha të vështira shoqërore si politika, media dhe shoqëria civile.

Nga një analizë e të gjitha të dhënave rezulton se ka patur 10 492 vota për 28 zonjat të cilat garonin për tre kategoritë.

Faza e parë e procesit kishte të bënte me nominimin online të emrave të grave dhe vajzave që kanë dhënë kontributin e tyre përgjatë vitit 2015 në vendin tonë, në tre kategori: Gruaja e Vitit 2015 në Politikë; Gruaja e Vitit 2015 në Media; Gruaja e Vitit 2015 në Shoqëri Civile. Kjo fazë zgjati 4 javë dhe në përfundim të saj rezultuan rreth 52 aplikime me 37 emra të nominuar në të tre kategoritë. Kategoria “Gruaja e Vitit 2015” në shoqëri civile pati numrin më të lartë të nominimeve me 13 emra, e ndjekur nga 2 kategoritë e tjera me nga 12 emra secila.  Pas një kalkulimi të emrave më shumë të nominuar rezultuan nga 9 kandidate për secilën nga kategoritë politikë e shoqëri civile dhe 10 kandidate në kategorinë media, për të vazhduar garën e votimit online.

Këto zonja u votuan dhe u vlerësuan online nga publiku i gjerë për një periudhë tre javore.Dhënia e këtij çmimi, synon të shërbejë gjithashtu si një nxitje për gratë dhe vajzat në fushat e sipërpërmendura për të mbështetur dhe përkrahur gra dhe vajza të tjera, në vitet në vijim, të cilat dëshirojnë të punojnë e kontribuojnë në politikë, shoqëri civile dhe media.

Leave a Reply