“Rama dhe Tahiri po bëjnë një marrëveshje me njëri-tjetrin, sepse Tahiri ka dokumenta dhe përgjime për përfshirjen e Edi Ramës me klanet mafioze”, ka thënë Basha.
Sa i takon çështjes së Habilajve, kreu i opozitës ka shprehur pakënaqësinë e tij për vonesat e organeve të drejtësisë shqiptare.
“Pas arrestimit të Habilajve në Itali prokuroria duhet të çojë prapa hekurave krerët e këtij klani mafioz dhe të vërë gjithashtu para drejtësisë kokat e politikës me të cilat ata janë lidhur”, ka deklaruar Basha, i cili ka kërkuar nga prokuroria transparencë totale për qytetarët.
Ndër të tjera, Basha ka kritikuar edhe drejtorin e përgjithshëm të policisë, Haki Çako, i cili sipas tij po mundohet ta mbulojë këtë aferë me veprimet e tij.
“Dënoj edhe përpjekjet e Haki Çakos për të tërhequr vëmendjen nga ky operacion i suksesshëm. Ka kaluar një muaj që kur opozita ka denoncuar me revoltë ngjarjet e Elbasanit që tregojnë se si shteti i Edi Ramës është vënë përfund nga mafia. Veprimet e Çakos nuk janë të vonuara, por pa vend. Çako duhet të ishte dorëhequr ose shkarkuar. Ai dhe kupola e policisë duhet të ishin para drejtësisë. Por kjo nuk mund të ndodhë përsa kohë në krye të ministrisë së Brendshme është Fatmir Xhafaj, vëllai i të cilit kërkohet nga drejtësia italiane për trafik kokaine dhe në krye të kupolës Edi Rama”, ka vijuar Basha.
Për kreun e opozitës, ka vetëm një rrugë për nxjerrjen e vendit nga kjo situatë: “largimi i Edi Ramës dhe krijimi i një qeverie antimafie”.