Nga shkrepjet e fotografive të bëra më shumë se dy dekada më parë, sot të gjithë kanë mundësinë të shohin vuajtjet, masakrat e dhimbjet që shenjuan e vazhdojnë ta përcjellin Kosovën.
Ministria kosovare e Drejtësisë hapi të enjten, 23 dhjetor 2020, ekspozitën “Për dokumentimin e krimeve të luftës”, me dëshmitë më të trishtueshme të gjenocidit serb ndaj civilëve shqiptarë.
I pranishëm ishte edhe Alban Bujari, autori i fotografive të kohës.
Nuk është lehtë as për neve që të dokumentojmë krimet e luftës. Unë kisha filluar me Prekaz, ku ka qenë prej masakrave të para që kam parë, ku nuk ka qenë lehtë as për neve që të dokumentojmë krimet e luftës që janë bërë prej forcave serbe.”
Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, tha se qëllimi i ekspozitës është t’i bëjë jehonë plagës së shqiptarëve, ndërsa nënkryetarja e Kuvendit, Arbërie Nagavci, shtoi se duhet dhënë drejtësi për fatin e mbi 1.600 personave të përndjekur dikur nga forcat serbe, që rezultojnë ende të zhdukur.
Selim Selimi:“Kosova secilën ditë e ka në kujtesë martirët për dëshmorët, për masakrat ndaj njerëzve tonë anë e kënd vendit. Vuajtjet dhe tmerrin e përjetuar ndaj viktimave të dhunës seksuale, të mbijetuarit e torturës dhe ankthin konstant të familjarëve të të zhdukurve. Të kalosh dekada të tëra, dhuna dhe terrori sjell trauma të papërballueshme, por populli ynë gjeti forcën të vazhdojë ecjen drejt lirisë për t’u ringritur nga hiri.”
Arbërie Nagavci: “Dëshmitarë jemi të gjithë, fatmirësisht kemi çfarë të themi në anën e drejtë të historisë. Andaj uroj që jo vetëm të kemi sa më shumë aktivitete të tilla mundësi për të thënë të vërtetën tonë, por edhe që në mënyrë institucionale që të angazhohemi që të qojmë në vend secilën brengë dhe secilën të drejtë që na takon si shtet.”
Lufta në Kosovë nisi në shkurt 1998 dhe zgjati deri në qershorin e vitit tjetër, duke lënë mbi 13,500 të vrarë, nga të cilët afro 11 mijë shqiptarë, 2,200 serbë, përpos etnive të tjera lokale.
Ndërsa Serbia ka tentuar t’i relativizojë masakrat në vend, në Kosovë dënohen me ligj personat që i mohojnë krimet e luftës.