Rusia kufizon protestat dhe opozitën, votohet projektligji për “agjentët e huaj”e rrjetet sociale

Dhoma kryesore e parlamentit rus ka miratuar me shpejtësi një numër projektligjesh që prekin organizimin e protestave, lajmet e rreme, kur opozita përgatitet për zgjedhjet e reja parlamentare në 2021-n.

Një sërë ligjesh të miratuara nga kuvendi i Rusisë komentohet nga kritikët se do të kufizojnë hapësirën e opozitës për të kundërshtuar regjimin aktual politik.

Dhoma kryesore e kuvendit, duma, kaloi të mërkurën projektligjin për protestat dhe tubimet duke i bërë ato të paligjshme nëse nuk vërtetohet se janë financuar me burime të brendshme.

Paratë për manifestimet mbi 500 veta kërkohet që të transferohen në një konto bankare ruse dhe të mos jenë siguruar nga shtete, organizata apo qytetarë të huaj.

Ligji për agjentët e huaj është zgjeruar dhe tashmë çdo qytetar rus që ndihmohet në mënyrë materiale ose monetare nga jashtë, do të konsiderohet një agjent i huaj dhe do i ndalohet të kandidojë për një post zyrtar.

Vepër penale do të trajtohet edhe publikimi i të dhënave personale të policëve, të hetuesve, të oficerëve të shërbimit të huaj informativ.

Përhapja e lajmeve false në internet rrezikon dënimin me dy vite burg ose me punë të detyruar.

Deri një vit burg rrezikojnë të vuajnë edhe personat që bllokojnë trafikun në rrugët qytetëse apo në autostrada, dënim që do të rritet deri në 10 vite nëse bllokimi i sjell si pasojë vdekjen e një ose më shumë personave.

Për platformat kryesore sociale, ligjvënësit kanë propozuar që të kufizohet qasja në Facebook, Twitter apo edhe në YouTube nëse vazhdohet të akuzohen nga qytetarët dhe mediet shtetërore ruse se po u fshihen postimet dhe kontot e tyre me pretendimin se përhapin lajme të rreme.

Përkrahësit e ndryshimeve të mësipërme thonë se ato janë të nevojshme për të mbrojtur sistemin politik të Rusisë nga influencat e huaja.

Ato do i kalojnë dhomës së lartë të parlamentit, Këshillit Federativ, përpara se të marrin fuqi ligjore nga nënshkrimi i presidentit rus, Vladimir Putin.

Leave a Reply