Heshtja e pajustifikueshme e akademikëve shqiptarë!

Letër nga Shkupi

Kur maskat bien, atëherë del në shesh e vërteta. Kështu ndodhi këtyre ditëve me Lupço Kocarevin, kryetar i Akademisë maqedonase të Shkencave dhe arteve, i cili shumë qartë tha se është kundër marrëveshjeve me Bullgarinë dhe Greqinë dhe se në muajin shtator do të fillojë me aktivitete për vetëdijesimin dhe zgjimin e popullit maqedonas, deklaratë kjo që është kundër aspiratave evropiane të Maqedonisë së Veriut dhe popullatës shqiptare që jeton në këtë nënqiell.
Në fakt, ata që i njohin rrethanat, nuk janë të habitur aq shumë me qëndrime të këtilla të akademikëve maqedonas, sepse edhe në të kaluarën kanë qenë në valë të njëjta, sidomos në raport me shqiptarët.
Në vitin 2001 po kjo Akademi në tavolinë pati edhe projektin e shkëmbimit të territoreve dhe të popullatës, krejt kjo në dëm të shqiptarëve. Pastaj erdhi “Enciklopedia” e famshme, e cila shqiptarët i prezantoi sipas terkut të Akademisë serbe.
Edhe përkundër këtyre fakteve, se atëherë, por edhe tani, akademikët shqiptarë (anëtarë të Akademisë maqedonase) që numërohen në gishta, por edhe ata të jashtëm vazhdojnë të heshtin dhe nuk ndërmarrin ndonjë hap pak më radikal. Kjo heshtje do të duhet të trajtohet si një çështje shumë serioze, aq më tepër kur dihet se të gjitha argumentet dhe e vërteta është në anën e tyre.
Nuk mund të justifikohet heshtja e tyre karshi këtyre qëndrimeve dhe paralajmërimeve për t’i sfiduar aspiratat euro-atlantike, që çojnë ujë drejt aspiratave pro-ruse, aq më tepër duke marrë qëndrim të hapur kundërshtues dhe duke u bërë opozitë e pushtetit aktual që ka përcaktuar kornizën e veprimit për t’iu bashkuar familjes së madhe progresiste evropiane, pikërisht ku mëtojnë shqiptarët.
Këta akademikë (shqiptarë) duhet ta kenë të qartë se indi kombëtar është shumë më i rëndësishëm se sa ndonjë honorar që u jepet atyre. Duhet dhënë fund të gjitha pritjeve se kjo Akademi do të reformohet dhe se do të shmanget nga paragjykimet e shumta, të cilat nuk dallojnë shumë edhe nga akademitë tjera që akoma kanë projekte për zhdukjen qenies shqiptare.
Është e pajustifikueshme që disa nga akademikët e zëshëm maqedonas (por edhe ata që vetëm heshtin) me qëndrime të drejtpërdrejtë dhe tërthorazi antishqiptare të marrin honorarë të majme nga një buxhet, për të cilin kontribuojnë edhe shqiptarët.
Është shumë e thjeshtë: akademikët shqiptarë të Akademisë maqedonase dhe ata që me vite “vdesin” për t’u bërë anëtarë të kësaj Akademie, e cila, nga ajo që dihet deri më tani, asgjë nuk ka bërë diçka konkrete për shqiptarët, përkundrazi janë realizuar vetëm projekte, siç ishte “Enciklopedia” tejet fyese në adresë të shqiptarëve, duhet të marrin qëndrim dhe të largohen nga ky institucion që nuk është në funksion te perspektivës së të gjithëve dhe të gjejnë një zgjidhje më fatlume.
Mbase, këta akademikë shqiptarë, do të duhet të na dëshmojnë se nuk janë vetëm pantallonat shenjë burrërie….Maskat kanë rënë!
/HEJZA/

Leave a Reply