Hyn në fuqi bllokada e katërt kombëtare në Austri

Ashpërsohen masat në gjithë Europën, dhunë në Bruksel

Rrugëve të Salzburgut, shumë rrallë të shihte syri njerëz paraditen e kësaj të Hëne. Prej mesnatës hyri në fuqi e katërta bllokadë kombëtare për frenimin e përhapjes së koronavirusit, që zgjat për 10 ditë. Qeveria vendosi javën e kaluar të ndërmarrë sërish masën radikale, pasi infektimet këto ditë kanë arritur nivelet më të larta për gjithë periudhën e pandemisë.

Nga shtëpia dilet vetëm për arsye esenciale. Kush ka mundësi punon në distancë nga shtëpia. Nga 1 Shkurti i vitit të ardhshëm, vaksinimi për gjithë popullsinë bëhet me detyrim, si në asnjë vend tjetër europian deri tani.

Nën shembullin e Austrisë, këtë të Hënë vendoset karantina për të pavaksinuarit në Çeki e Sllovaki. Bllokadë e plotë edhe në rajonin e Bavarisë në Gjermani. Ndërsa në Belgjikë, kush nuk është vaksinuar, nuk hyn më në bare, restorante e ambiente të tjera publike nga kjo e Hënë. Kjo shkaktoi në Bruksel, protesta të ashpra gjatë të Dielës, ku policisë iu desh të përdorte edhe topat ujëhedhës për të larguar manifestuesit.

Protesta të dhunshme gjatë të Dielës pati edhe në Holandë, Francë e Itali. Ashpërsimi i masave anti-COVID në gjithë Europën vjen pasi kontinenti është i vetmi rajon i botës ku infektimet po shtohen në mënyrë dramatike. 

Leave a Reply