Hyzmeqarët me pena

Midis nesh

Faik Konica në një shkrim të tij të vitit 1923 bën fjalë për një soj njerëzish që nuk përtonin fare të bëheshin hyzmeqarë me penë. Pra, këta hyzmeqarë, ose siç i quante Konica, laro, me penën e tyre, për qëllime të ndryshme, pa e llogaritur fare dëmin, u bënin hyzmet atyre që kishin njëfarë pushteti.
Por, çuditërisht, ky “shërbim”, është prezent edhe ndër ne, në hapësirat shqiptare, sidomos në Maqedoninë e Veriut. Janë disa hyzmeqarë, që janë vënë në shërbim të disa analfabetëve të pushtetit dhe, gjithandej, ia mbajnë ison dhe duan që shefat të tyre para opinionit t’i prezantojnë si inteligjentë, si “intelektualë” që dinë të shkruajnë dhe të tregojnë se jo rastësisht kanë edhe tituj akademikë.
“Infuzioni” i këtillë nuk ju bën derman analfabetëve funksional, përkundrazi fare lehtë mund të krijojë analfabetë të varur nga hyzmeqarët. Pra, kultura shqiptare nuk mund të zhvillohet me hyzmeqarë të penës apo me kalemxhinj, sidomos jo me kuadro partiakë që shpërblehen me poste të ndryshme dhe me përgjegjësi të madhe vetëm për shkak të dëgjueshmërisë së përsosur.
Çfarë nevojitet një i dëgjueshëm, kur është memec, kur nuk di t’i lidhë dy fjali. Dhe pikërisht këta analfabetë, na dalin me opinione të shkruara, në të cilat çuditërisht nuk mund të gjesh pothuaj asnjë gabim gjuhësor, ndaj dhe atyre, para pasqyrës, vetja u duket si akademikë të rryer.
Prapa kulisave përfliten edhe shumë marifetllëqe tjera, të cilat thjeshtë të stepin kur sheh se si shtohet numri i atyre që botojnë libra. Edhe në këtë segment flitet për sojin e hyzmeqarëve, të cilët për pak lekë, bëjnë disa biçim libra poetik, por shkruajnë edhe punime për magjistratura e doktoratura.
Vetëm mund ta paramendojmë peshën e dëmit që e bëjnë hyzmeqarët me penat e tyre. Kombinimi i hyzmeqarëve dhe analfabetëve është një kombinim fatal. Fatkeqësisht… /HEJZA/

Leave a Reply