Inceneratori i Tiranës, Gjykata le në fuqi masat e sigurisë

Të ndaluarit mohojnë akuzat. Koka: Hetimi politik

Gjykata e Posaçme la në burg 8 nga të hetuarit për koncesionin e inceneratorit të Tiranës dhe arrest shtëpie për 5 të tjerë, duke lehtësuar masën vetëm për Jetmir Llapajn. Në seancën e zhvilluar me dyer të mbyllura, të hetuarit mohuan akuzat e SPAK, se kanë shpërdoruar detyrën dhe janë përfshirë në korrupsion. I pranishëm ishte edhe ish-Ministri i Mjedisit Lefter Koka që e konsideroi hetimin politik.

“Ata kanë bërë më të mirën që mund të bënin. Akuzat janë ngritur mbi bazë të opinionit politik e mediatik. Jam viktimë e Saliut dhe e partiçkës së vogël”, tha Koka.

Akuzat për korrupsion i mohoi edhe ish-Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit, Alqi Bllako. Edhe zyrtarët, pjesë e komisionit të përzgjedhjes së koncesionit të Tiranës të akuzuar për shpërdorim detyre thanë se kanë zbatuar ligjin. SPAK thotë se zbuloi nga kompjuteri i biznesmenit në kërkim Klodian Zoto se si ai ishte paracaktuar fitues në koncesionin e inceneratorit të Tiranës duke shpërdoruar detyrën dhe përfshirë në korrupsion.

Leave a Reply