Kush ishin anëtarët e komisionit për hartimin e alfabetit!?

Në mëngjesin e 14 nëntorit të vitit 1908 në Manastir nisi puna e Kongresit të Alfabetit, ngjarje kjo që në historinë e popullit shqiptar zë një vend të veçantë dhe të merituar. Në hotelin “Lirija”, në fillim të pranishmit i përshëndeti Fehim bej Zavalani, kryetar i Klubit “Bashkimi” që ishte organizator i kësaj ngjarje të rëndësishme. Gjergj Qiriazi në fjalën e tij, ndër të tjera, përshkroi me fjalë prekëse, por reale, tërë përpjekjet e rilindësve tanë për të shpëtuar jo vetëm gjuhën shqipe, por edhe kombin shqiptar. Më tej, me ndjenja të forta shpirtërore dhe atdhetare, Qiriazi do të theksojë: “… Ky kongres le të na nxjerrë faqebardhë dhe me një vëllazëri dhe bashkim të pandarë…”.
Pasi u shterën të gjitha konsultimet, delegatët zgjodhën Kryesinë e punës së Kongresit në përbërjen e të cilit merrnin pjesë: kryetar i Kryesisë, Mid’hat Frashëri, Luigj Gurakuqi e Gjergj Qiriazi, nënkryetarë dhe Hil Mosi, Thoma Abrami e Nyzhet bej Vrioni, sekretarë.
Nga rrjedha e ngjarjeve paraprake, ishte e pritshme që Kongresi të përballej me vështirësi të shumta për shkak të daljes në pah të qëndrimeve të ndryshme në lidhje me çështjen e alfabetit, duke krijuar përçarje në preferencat për përzgjedhjen e tij. Pas diskutimeve të shumta dhe konstruktive të Hil Mosit, Luigj Gurakuqit, Gjergj Fishtës e të tjerëve, u arrit që të ruhet fryma kombëtare, ndërkaq diskutimet u përqendruan në tri alfabetet: të Stambollit dhe të dy shoqërive nga Shkodra, “Agimi” dhe “Bashkimi”.
Në ditën e tretë të Kongresit u vendos që të zgjidhet Komisioni për hartimin e alfabetit, në përbërje të të cilit merrnin pjesë: Gjergj Fishta, kryetar dhe anëtarët: Mid’hat Frashëri, Ndre Mjeda, Luigj Gurakuqi, Sotir Peci, Gjergj Qiriaze, Bajo Topulli, Shahin Kolonja, Gligor Cilka, Dhimitër Buda dhe Nyzhet Bej Vrioni.
Studiuesi Jup Kastrati në monografinë e tij kushtuar Faik Konicës, theksonte se “padashur fare të errësojmë veprimtarinë patriotike të njërit apo tjetrit anëtar të Komisionit të posaçëm që përshtati Alfabetin e njohur me emrin Kongresi i Manastirit, të bie në sy fakti që gjysma e këtij grupi pune deri në vitin 1908 nuk ishin marrë kurrë as me gjuhësi e as me letërsi si, për shembull, Grigor Cilka, Taqi Buda, Nyzhet Vrioni, Bajo Topulli. Madje, në gjirin e këtij komisioni special nuk kishte asnjë linguist të kualifikuar e me fakultet filologjie, pavarësisht se ndonjëri prej tyre ishte interesuar dhe kishte shkruar për çështje gjuhësore, siç bie fjala Ndre Mjeda (kishte bërë studime teologjie), Luigj Gurakuqi (kishte studiuar për shkenca natyrore), Shahin Kolonja (kishte studiuar për drejtësi), Sotir Peci (kishte studiuar për matematikë). I vetmi që në atë kohë kishte bërë studime të thella linguistike dhe që ishte afirmuar mbi të deri në vitin 1908 ishte Faik Konica”.

Leave a Reply