Shaqir Fetai nuk e njeh Kushtetutën, sepse, nëse e pranon se e njeh, ndërsa shkeljet kushtetutare në ngjitjen e karrierës së tij kanë qenë aq drastike sa, përgjegjësia para organeve të drejtësisë do të ishte fatale për të dhe për karrierën e tij. Vetëm një injorant total, një njeri që nuk e njeh Kushtetutën dhe që nuk i ka lexuar kurrë rregulloret e zgjedhjeve, mund të bëjë gafe të tilla amatoreske siç i bën Shaqir Fetai
Shkruan Afrim Tahiri
Këto ditë lexova një shkrim të Andi Rakipit, i cili në analizat e mia rreth ndodhive në BFI paska dedektur një gabim timin, i cili, në njëfarë forme po i bënka nderë Shaqir Fetait, sepse unë me tepër po e paraqitkam si diletant se sa si shërbëtor të politikave ditore në interes të karrierës së tij. Nuk e vë në dyshim kapacitetin e analizave të intelektualit Andi Rakipi, mund të ketë plotësisht të drejtë por, ja që unë edhe më tej mendoj se Shaqir Fetai dhe suita e tij nuk e dinë, nuk e njohin dhe nuk e kuptojnë as Kushtetutën dhe as aktet normative të tjera të BFI-së.
Mund të kuptohet edhe gabimisht qëndrimi im nëse këmbëngul se ky soj që po e “drejton” BFI-në nuk e njeh Kushtetutën, mundet që ky qëndrim i imi ta amnestojë nga trimërimi me të cilën mund ta ushqejnë pushteti aktual por edhe pushtetet e tjera të nëntokshme Shaqir Fetain dhe bashkëpunëtorëve të tij të trashëguar, që të gjithë, nga Sulejman Rexhepi për shkak të vuajtjeve të papërballueshme për kohën kur i shërbeu “besnikërisht”. Megjithatë, unë edhe më tej këmbëngul se këta nuk e njohin aktin më të lartë të BFI-së, nuk e kanë lexuar kurrë dhe as që u intereson ta dinë. Sepse, ata janë madhorë, janë të vetëdishëm, kanë kaluar fazën e avanturave puberteske dhe se, e dinë fare mirë se, çka do të thotë të shkelësh një akt normativ.
Shaqir Fetai bashkë me bashkëpunëtorët e tij të trashëguar nga Sulejman Rexhepi e dinë fare mirë se mund të dalin para përgjegjësisë, se mund të përgjigjen para organeve të drejtësisë, se mund të ndiqen penalisht nga organet e drejtësisë, nëse sot jo, nesër gjithësesi që po. Rënia e pushtetit, për të cilin Andi Rakipi mendon se pushteti i ka sjellë në krye të BFI-së Shaqir Fetain dhe suitën e tij, nënkupton rënie me automatizëm edhe e “organeve” të tyre, por, nëse në politikë renia është me e butë, tek bashkëpunëtorët dhe nënshtruesit e politikave ndëshkimi është i pafalshëm. Sepse, askush nuk i ka thënë që ta kruajnë me partitë politike, sidomos kur je institucion fetar.
Këta nuk e njohin Kushtetutën, nuk e kanë lexuar kurrë, sepse ka pasur kush përgjigjet kushtetutshmërisht në vend të tyre (Sulejman Rexhepi), këtyre u ka interesuar karriera, u ka interesuar ta demonstrojnë të fortin duke qenë pjesë e politikës, duke qenë pjesë e partive politike. Tani krejt bota e di se Shaqir Fetai është “reis-prodhim i BDI-së, sepse këtë e ka pohuar edhe ish-reisi, por, tërthorazi, edhe lideri aktual i BDI-së, z. Ali Ahmeti. Këtë nuk mund ta mohojë as Shaqir Fetai, i cili, një ditë, për shkeljet kushtetuese do të përgjigjet se nuk e ka njohur dhe për të gjitha shkeljet që i ka bërë, i ka bërë sepse ka qenë i detyruar nga Ali Ahmeti dhe ish-partia e tij e cila “e ka detyruar që të shndërrohet në shtab partiak”!
Po pse pikërisht Shaqir Fetain? Jo, sepse e kanë shantazhuar se na paska qenë (unë i kam dyshimet e mia) ish-udbash, por, pikërisht sepse nuk i ka njohur aktet më të larta juridike të BFI-së. Ata që i kanë njohur nuk i kanë hyrë kësaj aventure.
Shaqir Fetai e ka për mburrje nëse i thua udbash, e ka për mburrje nëse i thua shërbëtor i BDI-së, e ka për mburrje nëse i thua bashkëpunëtor më i ngushtë i Sulejman Rexhepit, por ama e ka vdekje t’i thuash injorant që nuk e njeh Kushtetutën. Kurrë nuk ka marrur mundin që ta lexojë e ta njohë, sepse nuk i intereson, më lehtë deri te pushteti arrihet duke qenë pjesë shërbyese e partisë, sepse e njëjta Parti e ka përgëdhelur dikur Sulejman Rexhepin. Për të tilla përgëdhelje vuan Shaqir Fetai dhe jo për njohje të Kushtetutës.
Unë e ftoj publikisht në debat, le të zgjedhë cilindo televizion, le të jetë ky debat masiv, i ndjekur në të gjitha mediat shqiptare dhe ndërkombëtare, e sfidoj për një debat në një hapësirë gjigande, le të jetë ky stadium me njëqind mij vetë dhe, të dalim e të flasim për njohuritë mbi Kushtetutën e BFI-së. Shaqir Fetai i ka ikur ballafaqimit në një odë tet a tet e lëre më debatit publik!
Shaqir Fetai nuk e njeh Kushtetutën, sepse, nëse e pranon se e njeh, ndërsa shkeljet kushtetutare kanë qenë aq drastike sa, përgjegjësia para organeve të drejtësisë do të ishte fatale për të dhe për karrierën e tij. Vetëm një injorant total, një njeri që nuk e njeh Kushtetutën dhe që nuk i ka lexuar kurrë rregulloret e zgjedhjeve mund të bëjë gafe të tilla amatoreske siç i bën Shaqir Fetai. Ai nuk i bën sepse është trim, sepse ka mbështetje partiake, sepse ka mbështetje të pushtetit aktual, ai i bën sepse është tërësisht injorant.
Dhe, në tërë këtë lojë injorante qarqeve antiislamiste u konvenon që për drejtues të BFI-së të kenë në krye injorantë, mosnjohës të Kushtetutës së BFI-së, sepse kjo do t’ju duhet për më vonë, kur do të nisin ta shantazhojnë Shaqir Fetain. Mos qofshim nën lëkurën e tij. Kanë për t’ia zbritur saxhin mbi kokë. Një njohës i gjërave nuk lejon që të bëhet lolo, nuk do të pranonte të bëhet “dvorska budalla”, por, do të mburrej me afinitetet e veta prej devotshmërie, sepse një i tillë ka nevojë më tepër të dalë i pastër para Zotit se sa para pushtetit që ia kërkojnë budallallëkun!
(Autori është drejtues i Lëvizjes Myslimane për Reforma në BFI të RMV-së)