Midis nesh
Populli shqiptar, si asnjë prej popujve të tjerë në rajon dhe më gjerë, ndonëse ndër popujt më të vjetër në Evropë, pati fatin që të robtojë shekuj me radhë, që nga shekujt e fundit të epokës para erës sonë e deri më fillim të këtij shekulli!
Pas Luftës së Dytë Botërore, shqiptarët jetuan nën sistemin e socializmit. Një pjesë e shqiptarëve (Shqipëri) nisën që ta ndërtojnë lirinë dhe ta promovojnë atë brenda kufijve të shtetit-burg, një pjesë e shqiptarëve (në Kosovë) nisën ta ndjejnë fuqishëm nevojën për lirinë si e vetmja mundësi e sendërtimit të aspiratave kombëtare, dhe një pjesë e shqiptarëve ngelën me dhëmbë të mpirë nga frytet e athëta të “lirisë” së pjesët tjetër të Kombit.
Si në robërinë dhjetëra shekullore (romake, bizantin, osmane, serbe) po ashtu edhe në “lirinë” e dozuar nga “robëria liberale” (komunizmi) shqiptarët drejtoheshin nga një “pari mikse” që ideologjinë e kishte mbi çdo ideal!
Po sot? As sot e kësaj dite shqiptari nuk po ia del që ta kuptojë lirinë! Prandaj, shqiptarët sot sipër lirisë e vënë ideologjinë dhe, poshtë tyre, në shkallën e fundit, e vënë idealin! Po pse kjo radhitje e mbrapshtë e gjërave sipas rëndësisë? Sepse, shtetet shqiptare, shqiptarët nëpër viset e tyre etnike, drejtohen nga një pushtet i konceptuar dhe zhvilluar prej njerëzve të cilët gjenetikisht kanë të trashëguar nevojën e mbretërimit. Për ta ushtruar mbretërimin ata detyrimisht që duhet ta kenë edhe shtresën që i bindet robtimit!
Pushteti (mbretërimi) gjithmonë, por me theks të veçantë sot, drejtohet nga rrethi i ngushtë i inteligjencies partiake me “përgatitje” të lartë politike, në pjesën periferike të pushtetit radhitet inteligjencia me përgatitje më të ulët apo inteligjencia “profesionale”, e cila gjithnjë e kundërshtojnë zhvillimin centralizues të pushtetit, si dhe shtresa e tretë, intelektualët tërësisht të margjinalizuar, të cilët duhet të punojë aq shumë sa për t’ia tërhequr vëmendjen “bërthamës” së partisë.
Pra, bartësit e pushtetit na qenkan intelektualë, siç na qenkan intelektualë edhe ata që kundërshtojnë zhvillimet centralizuese të pushtetit, por ja që intelektualë na qenkan edhe ata që qëndrojnë margjinave të pushtetit! Pa dyshim, për pushtetin është shumë i qartë fakti që asnjë shtesë e këtyre intelektualëve nuk është e domosdoshme të jetë nga formati i madh intelektual për nga talenti dhe njohuritë. Mbretërit, pushtetarët, drejtuesit e ideologjive, liderët partiakë gjithnjë ngushëllohen me demagogjinë: nuk është e domosdoshme që intelektuali të jetë inteligjent!
Ndaj dhe intelektuali partiak mund të jetë edhe gënjeshtar, edhe hajn, edhe demagog, edhe mediokër, edhe zhongler i halleve të popullit dhe, nëse do të kundërshtohen nga “inteligjencia profesionale”, e cila edhe mund ta frymëzojë fraksionin apo fragmentarizmin partiak, atëherë afrohen ata që janë mbajtur në margjina dhe që një jetë të tërë e kanë kaluar duke u lajkatuar. Kjo është jeta dhe ky është fati i intelektualit partiak – disi si i të ngratit në bujkrobërinë e lashtë! /HEJZA/