Intervista e Meghan Markle dhe Princit Harry dhënë për Oprah Winfrey dhe transmetuar në SHBA, është pritur me interes të madh. Në këtë intervistë, çifti ka ndarë me publikun anën tjetër të historisë së tyre për jetesën me Familjen Mbretëtore të Britanisë së Madhe. Meghan foli për marrëdhënien me mbretër të tjerë, për racizmin dhe problemet me shëndetin mendor.
Një nga pretendimet më të mëdha të rrëfimit të Meghan dhe Harry ishte racizmi. Sipas tyre, brenda familjes mbretërore flitej për ngjyrën e lëkurës së foshnjes së Meghan dhe Harry para se të vinte në jetë.
“Gjatë muajve kur isha shtatzënë kishte shqetësime dhe bëheshin biseda se sa e errët mund të ishte ngjyra e lëkurës së fëmijës”, është shprehur Meghan. Por si kjo e fundit, ashtu dhe Princi Harry, refuzuan që të thonë se cili anëtar i familjes mbretërore e ka thënë këtë.
“Atë bisedë nuk do ta ndaj kurrë me asnjeri. Në atë kohë ishte e vështirë, unë isha pak i tronditur”, tha Harry.
Një tjetër histori që qarkulloi në shtyp disa vite më parë ishte se Dukesha e Kembrixh, Kate, shpërtheu në të qara në prag të dasmës së saj, dhe për këtë u akuzua Meghan. Por kjo e fundit tha në intervistë se e kundërta është e vërtetë.
“Disa ditë para dasmës së Kate, ajo ishte e mërzitur për veshjet e vajzave që do të mbanin lulet dhe kjo më bëri mua që të qaj”, tregoi Meghan duke zbuluar se disa ditë më vonë Kate i kërkoi falje për mënyrën si i kishte folur. Meghan tha se këtë histori nuk e tregoi për të sulmuar Kate, të cilën e ka konsideruar “njeri të mirë”, por për të korrigjuar këtë histori të rreme që u përhap në shtyp.
Për Meghan Markle, në momentin kur ajo shkoi në Pallatin Mbretëror, thotë se aty humbi lirinë e saj.
“Kur u bashkova me atë familje, ishte hera e fundit deri sa erdhëm këtu (në SHBA) që pashë pasaportën time, patentën time, çelësat dhe gjithçka tjetër”.
Shëndeti i saj mendor u përkeqësua gjatë jetesës në Pallatin Mbretëror, aq shumë sa që “nuk donte të jetonte më”.
“U thashë se duhet të shkoja diku për të kërkuar ndihmë, u thashë se nuk e kisha ndjerë veten kurrë më parë ashtu dhe që kisha nevojë të shkoja diku për të marrë ndihmë, por më thanë që nuk mundem se nuk do të ishte mirë për Pallatin Mbretëror. Asgjë nuk u bë”, u shpreh Meghan.
Ndërkohë, Princi Harry u pyet nga gazetarja për marrëdhënien e tij me babain Princin Charles dhe me vëllain. Ai tregoi se me babain kishte ndaluar së komunikuari në telefon pasi nuk i përgjigjej më.
“Ndihem vërtetë i dëshpëruar sepse ai ka kaluar diçka të ngjashme, ai e di çfarë dhimbje është. Por sigurisht që do ta dua atë dhe do të vazhdoj të përpiqem për ta shëruar këtë marrëdhënie”. Në lidhje me vëllain e tij, Harry u shpreh se e do dhe të dy kanë kaluar vështirësi të shumta. “Por rrugët tona ishin të ndryshme”, ka theksuar Princi Harry. /tvklan.al