Shtetasi britanik Paul Urey, i cili u kap rob nga separatistët e mbështetur nga Rusia në Ukrainë, ka vdekur në paraburgim, sipas raportimeve në media. Mbretëria e Bashkuar shprehet se po kërkon sqarime urgjente nga Ukraina dhe qeveria ruse mbi raportet për vdekjen e një punonjësi humanitar britanik.
“Ne po e ngremë urgjentisht këtë me aleatët tanë ukrainas dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme ruse”, tha zyra e Ministrisë së Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar. “Ne vazhdojmë të jemi në kontakt të ngushtë me familjen”. Urey, nga Warrington, Cheshire, u arrestua në një pikë kontrolli pranë qytetit juglindor të Zaporizhias në prill dhe u akuzua si mercenar.
Ai u mbajt rob në Republikën e vetëshpallur Popullore të Donjeckut (DPR) së bashku me një person tjetër, Dylan Healy, ndërsa thuhet se po përpiqej të shpëtonte një grua dhe familjen e saj të bllokuar nga luftimet.
Një përfaqësues i separatistëve të mbështetur nga Rusia në Ukrainën lindore deklaroi më 15 korrik se britaniku Paul Urey kishte vdekur në paraburgim. “Ai vdiq më 10 korrik,” tha përmes rrjetit Telegram Darya Morozova, përfaqësuesja e një grupi separatist në Donjeck. Ajo tha se 45-vjeçari vdiq “për shkak të sëmundjes dhe stresit”.
Morozova tha gjithashtu se Urey vuante nga diabeti, një pretendim që nuk mund të konfirmohej menjëherë. Kapja e Urey në prill nga forcat separatiste në mesin e pushtimit të Ukrainës nga Rusia, që nisi në fund të shkurtit, u konfirmua edhe nga një television rus që tregonte asokohe marrjen në pyetje të tij, ndërsa ishte i prangosur.
Organizatat joqeveritare dhe kolegët e kanë përshkruar Urey si një punonjës humanitar. Ushtarët separatistë të mbështetur nga Rusia e kanë përshkruar atë si një ushtar “profesionist” dhe e kanë akuzuar për “veprimtari mercenare”. Familjarët e Urey deklaruan në maj se po “përgatiteshin për më të keqen”. /REL