Italia tronditet nga vrasja e emigrantes së famshme afrikane të kthyer në fermere të suksesshme

Ajo ishte një emigrante që u bë shpejt fermere e suksesshme në veri të Italisë, edhe pse shumë italianë nuk kishin dëgjuar më parë për Agitu Ideo Gudeta, deri në vdekjen e saj javës që shkoi.

Policia zbuloi shpejt vrasësin e saj, një 32-vjeçar nga Gana që kishte ndihmuar Gudeta të rriste një lloj të rrallë dhie.

E ardhur nga Etiopia në 2010, Agitu Gudeta u vendos në Itali për të krijuar një ndërmarrje të vogël blegtorie duke prodhuar djathë dhie dhe ishte bërë e njohur në disa reportazhe të mediave rajonale. Natën e 29 dhjetorit 2020, disa ditë para ditëlindjes së 43-të, ajo u vra.

Vrasësi i saj pranoi se ishte konfliktuar me Gudeta për një shumë parash dhe se e kishte vrarë me çekiç, thanë hetuesit.

Miqtë e saj mbajtën zi me marshime me qirinj për gruan e guximshme që ashtu si qindra emigrantë të tjerë kaloi shumë vështirësi për të gjetur lumturinë në Evropë. Mediat e gazetat e lavdëronin atë si një model integrimi në Itali.

Dhe në fakt Gudeta kishte qenë një sukses me pasionin e saj në rritjen e kafshëve të mësuar nga gjyshja, duke krijuar biznesin e saj La Capra Felice (Dhia e lumtur), duke shitur djathë dhie, kos e produkte bukurie.

Në qershor kur pandemia kishte mbyllur dyqanet në Itali, ajo hapi një pikë shitjeje në Trento, ku shiste prodhimet e saj.

Agjencia e Kombeve të Bashkuara për refugjatët tha në një deklaratë se Gudeta “do të kujtohet si një model i suksesit dhe integrimit të refugjatëve që rindërtojnë jetën e tyre.”

E lindur në Etiopi, Gudeta kishte studiuar sociologji në një universitet italian para se të kthehej në vendin e saj, ku u kthye në një aktiviste të përpjekjes kundër interesave të fuqishme që merrnin kontrollin e tokave rurale. Pas arrestimit të disa kolegëve të saj ajo u largua në Itali  prej frikës për sigurinë e saj.

Leave a Reply