Izraeli ka kryer dhjetëra sulme ajrore në Iran duke ngritur ndjeshëm rrezikun e një lufte të gjithanshme në Lindjen e Mesme.
Sipas televizionit shtetëror iranian, udhëheqësi i Gardës Revolucionare, gjenerali Hossein Salami, dyshohet se ka humbur jetën – një zhvillim që, nëse konfirmohet, do të përbënte një goditje të rëndë për udhëheqjen e Teheranit dhe do të thellonte përshkallëzimin e konfliktit. Raporti gjithashtu përmend vdekjen e një tjetër zyrtari të lartë të Gardës dhe dy shkencëtarëve bërthamorë.
Në Uashington, administrata Trump, e cila më herët kishte paralajmëruar Izraelin kundër një sulmi mes negociatave që po vazhdonin, tha se nuk është e përfshirë në sulm dhe paralajmëroi Iranin që të mos ndërmarrë sulme hakmarrëse ndaj interesave apo personelit amerikan.