Mijëra palestinezë kanë marshuar përgjatë kufirit mes Gazas dhe Izraelit të shtunën për ta shënuar përvjetorin e parë të protestave masive. Ata janë përleshur me forcat izraelite të sigurisë.
Ministria e Shëndetësisë e Palestinës ka thënë se forcat izraelite e kanë vrarë në protestë adoleshentin 17-vjeçar, Adham Amara. Përndryshe, një adoleshent tjetër, Mohammed Sa’ad, u vra në orët e para të së shtunës para se të fillonte protesta.
Protestat në këtë zonë kanë qenë të përgjakshme viteve të fundit, ndonëse ndërmjetësuesit egjiptianë po bëjnë përpjekje që një gjë e tillë të parandalohet dhe të lehtësohen kufizimet e Izraelit në Gaza.
Protestuesit po kërkojnë që Izraeli ta largojë një rrethojë të sigurisë dhe që palestinezët ta kenë të drejtën për t’u kthyer në tokën nga e cila janë zhvendosur në vitin 1948.