Jetëshkrim monumental për një olimpik

Botime të veçanta

(Rreth librit të Shaban Sejdiut, “SHKËLQIMI I YLLIT”, botuar nga Komiteti Olimpik i RMV-së)

Nga Avni HALIMI

Gjatë viteve ’70 dhe ’80 të shekullit XX, bota po fliste për një fëmijë nga Bllaca e Shkupit, të cilin moshatarët e vet e shihnin si një “kryefortë” të ikur nga mitet! Një fëmijë me shtatë zemra që “po e bluante dhe po e shkatërronte” çdo kundërshtar që i del përpara! Qysh në moshën 16 vjeçare do t’ia dalë që të ngjitet në majat më të larta të sportit të mundjes! Po bëhej model i të rinjve, krenaria e shqiptarëve, shembull i çdo sportisti të ri dhe frymëzues për qindra bashkëmoshatarë të tij për t’u marrë me këtë sport.
Shaban Sejdiu, sportist olimpik, pjesëmarrës i katërfishtë në Lojërat Olimpike, dy herë kampion evropian, dy herë nënkampion botëror, katër herë kampion ballkanik, dy herë kampion i Lojërave Mesdhetare, si dhe fitues absolut nëpër gara të ndryshme ndërkombëtare, i respektuar prej shumë mundësve botërorë, prej shumë sportistëve anekënd botës, njeri që sa herë dilte në “fushën e mejdanit”, mbusheshin arenat sportive me publik që vinin për ta parë fuqinë dhe shkathtësinë e një “Herkuli” të kësaj bote!
“Shembull historik” do ta quajë z. Vasil Tupurkovski, kryetari i Komitetit Olimpik të RMV-së, në recensionin e vet rreth këtij libri-jetëshkrimi i trajtuar me shumë elemente të monografisë. Që në fillim të librit, Shaban Sejdiu do ta tregojë arsyen kryesore që e nxiti për të na rrëfyer për “Shkëlqimin e yllit”: “Këtë (libër) dua t’ua kushtoj gjeneratave të reja, si një shembull se, për të realizuar dëshirat dhe ëndrrat, duhet vërtet shumë mund, sakrificë dhe përpjekje personale”!
Që në moshën 12 vjeçare, kur u “hodh” në dyshekët e mundjes e deri në ditët e sotme, Shaban Sejdiun e ndoqi një modesti olimpike, i dashur me të gjithë, i përkushtuar deri në vetëmohim për sportin që e kishte zgjedhur t’i bëhet jetë! Me këtë modesti i qaset edhe kësaj autobiografie. Shkruan për Shkupin e fëmijërisë së vet, flet me pietet për udhëzuesin e tij, Mentas Allajbegun, për trajnerin, Risto Takovin, për ushtrimet, mundin, sakrificën, për tonelata djersë të derdhur, për mirëkuptimin dhe dashurinë e familjes, për miqtë, për mundësit shqiptarë që me sukseset e tyre e nderuan kombin. Me modesti ikë nga vetëlavdërimi dhe sa herë që duhet të flasë për sukseset dhe për famën e vet, sjell citate, sjell vlerësime nga të tjerët!
Shaban Sejdiu përmes këtij libri synon, mbi të gjitha, ta demitizojë veten si dhe të gjithë ata që arrijnë majat e famës botërore! Nuk bëhet fjalë për “legjenda”, por thjesht, për persona që me disiplinë, me angazhim e sakrifica, me përpjekje e punë të palodhshme, me dashuri e me synime të qarta, ia dalin të bëhen pronarë të sukseseve që mahnitin tërë botën.
“Shkëlqimi i yllit” hedh dritë mbi ravijëzimin e tërë atij rrugëtimi që Shaban Sejdiu e bëri përgjatë karrierës së vet sportive; flet me zemër të thyer edhe për hilet si dhe ndërkëmbëzat e organizatorëve, por dhe referëve që jo rrallë janë munduar ta dëmtojnë! Një i ri, nga Shkolla Fillore “LIRIA” e Shkupit, me kushte “primitive”, të bëhet yll i botës?! Nuk e lë pa e nënvizuar edhe faktin që ai nuk e pati trajtimin e duhur në vend, por qetas e qorton edhe veten për refuzimin e shumë ofertave që sot atij do t’ia siguronin jetën e “mbretit të mundjes”! I etur për dashuri familjare, sepse jetën e vet si mundës e kaloi nëpër salla sportive e nëpër botë, kishte vendosur që jetën ta kalojë pranë familjes së vet, pranë bashkëshortes, fëmijëve, nipërve, pranë miqve që edhe sot e shikojnë me sy e me zëmër, pranë “botës shqiptare”! Nuk lë pa i përshëndetur të gjithë ata që e ndihmuan, që ia respektuan misionin si mundës, që iu përgjigjën financiarisht qëllimeve të tij për ta risjellë te të rinjtë, por edhe te institucionet shtetërore po atë dashuri që ekzistonte dikur për mundjen si sport.
“Shkëlqimi i Yllit” është libër që ndriçon rrugën e vetme drejt majave të sukseseve. Kushdo që do ta lexojë, do të kuptojë se si zbërthehen kodet e sukseseve! Këtë dekodifikim mjeshtërisht e bën Shaban Sejdiu, mjeshtri legjendar i sportit të mundjes.

Leave a Reply