“Juneteenth”, fundi i skllavërisë në SHBA, bëhet festë federale

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, nënshkroi ligjin që e bën 19 qershorin festë federale, në kujtim të përfundimit të skllavërisë në SHBA.

Festa, e njohur si “Juneteenth”, shënon ditën e vitit 1865, kur afrikano-amerikanët e fundit të skllavëruar në Teksas janë njoftuar se janë të lirë.

Kjo ka ndodhur dy muaj pas përfundimit të Luftës Civile në SHBA.

“Kjo është një ditë me peshë të madhe dhe fuqi të madhe dhe për të kujtuar njollën morale dhe dëmin e tmerrshëm që skllavëria i ka bërë vendit”, tha Biden, teksa miratoi festën e re.

“Të gjithë amerikanët mund të ndjejnë fuqinë e kësaj dite dhe të mësojnë nga historia jonë”, tha ai.

Shumë shtete në SHBA e kanë shënuar edhe më herët “Juneteenth”, por data nuk ka pasur statusin e festës federale.

Këtë javë, të dyja dhomat e Kongresit amerikan e kanë kaluar me shumicë dërrmuese projekt-ligjin për festën “Juneteenth”.

Ajo është tani festa e 12-të federale./REL

Leave a Reply