Katari u është kundërpërgjigjur një liste me kërkesa nga Arabia Saudite dhe aleatëve të saj, pasi këto të fundit u pajtuan për t’i dhënë Katarit edhe 48 orë kohë për t’iu përgjigjur kërkesave të tyre.
Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Egjipti dhe Bahrejni i shkëputën marrëdhëniet me Katarin më 5 qershor, duke e akuzuar atë për terrorizëm, transmeton Express.
Më 22 qershor ato e përpiluan një listë me 13 kërkesa për t’i dhënë fund mosmarrëveshjes serioze dhe ia dhanë Katarit 10 ditë për t’iu bindur kërkesave të tyre.
Detajet e kundërpërgjigjes së Katarit nuk janë publikuar ende, por një zyrtar i Gjirit ka thënë për agjencinë e lajmeve AFP se ministri i Jashtëm i Katarit, Sheiku Mohammed bin Abdulrahman Al-Thani, e ka dorëzuar atë gjatë një vizite të shkurtër në Kuvajt, i cili është duke vepruar si ndërmjetësues në këtë krizë.
Më parë, Katari ka thënë se kërkesat e forta – përfshirë edhe mbylljen e transmetuesit Al-Jazeera dhe largimin e trupave turke nga baza ushtarake në Katar – janë aq mizore saqë duken se janë të shkruara për t’u refuzuar.