Nuk ka paqe në PD. Sot kryesia, Patozi akuzon Bashën për farsë

Që kur Astrit Patozi shpalli të shtunën kandidaturën për kryetar të Partisë Demokratike, mes tij dhe Lulzim Bashës ka patur negociata për t’u dakordësuar për disa kërkesa për një garë të barabartë.

Por negociatat e ndërmjetësuara nga sekretari i përgjithshëm Arben Ristani nuk kanë patur sukses. Largimi i Bashës nga zyra e kryetarit të partisë, marrja e listave të anëtarësisë së PD dhe shtyrja e datës së zgjedhjeve ishin 3 kërkesat e Patozit që nuk u pranuan nga Basha.

Ai ka ofruar zyre dhe kushte të njëjta si të kryetarit për çdo kandidat, por mësohet se Patozi nuk e ka pranuar këtë. Pas dështimit të negociatave, Patozi e cilësoi Bashën si përgjegjës për prishjen e një gare të drejtë dhe të mundësisë për të kthyer procesin në shinat statutore.

“Në këto kushte, kur nuk garantohen as elementët bazikë për zhvillimin e një konkurrimi normal, Lulzim Basha mbetet sot përgjegjësi i vetëm, jo vetëm për rezultatin katastrofik të PD në zgjedhje, por dhe për bllokimin e një gare që do t’i jepte asaj shansin e vetëm për t’u ringritur”, tha Patozi.

I pyetur nga Top Channel nëse e konsideron veten kandidat për kryetar pas dështimit të negociatave, Astrit Patozi tha se ai është në garë, por jo në një farsë që sipas Patozit sjell mundësinë e përçarjes.

“Lulzim Basha ka marrë përsipër nisjen dhe përfundimin e një farse të shëmtuar elektorale, që thellon akoma më shumë përçarjen dhe krizën e thellë të PD. Pas kësaj, demokratëve u lind e drejta e çdo lloj forme reagimi për të mos lejuar rrëmbimin pa garë të mandatit të kryetarit të Partisë Demokratike nga Lulzim Basha, personi që e çoi atë në humbjen më të rëndë të historisë së saj dhe po e çon me bindje drejt shkatërrimit përfundimtar”, tha Patozi.

Por Astrit Patozi nuk është kandidati i vetëm me kërkesa për zgjedhjet. Eduard Selami kërkon shtyrjen e tyre, por ndryshe nga Patozi, ai nuk kishte negociatorë me Bashën.

“I sugjerova zotit Basha se data 22 korrik është një datë e cila nuk na jep kohë të mjaftueshme për të bërë fushatë. Unë propozoj të jetë java e parë e shtatorit, pasi neve na duhet që në grupin parlamentar të kemi lidershipin e ri. Por zoti Basha më tha se kjo nuk është kompetencë e tij, por e komisionit organizativ. Mendoj se një shtyrje e tillë do të jepte më shumë mundësi për ne. E kam thënë se nëse do të isha Basha do të kisha dhënë dorëheqjen, por ky është vendimi i tij”, tha Selami.

Vetë Lulzim Basha nuk ka dhënë asnjë deklaratë për procesin. Sot ai është parë të takohet me demokratët në një lokal pranë selisë blu. Mesa duket, një qëndrim Lulzim Basha do ta mbajë në mbledhjen e kryesisë së Partisë Demokratike, e thirrur në mbrëmje për të miratuar kandidatët dhe për të ngritur komisionin për zgjedhjet./TCH/

Leave a Reply