Komercializimi i librit dhe i tregut letrar

Që kur libri nisi të shikohet si prodhim, në pah dolën edhe nevojat shpirtërore të “prodhuesit”, pra të shkrimtarit! Sociologjia e procesit letrar përgjatë shekujve njeh komercializime të ndryshme të librit, ndonëse ky treg mund të vlerësohet si primitiv, diletantesk etj. Në një periudhë të lulëzimit të shkencës dhe artit islam, librat janë vlerësuar varësisht prej volumit, i cili ka ndikuar në peshë, ndërsa pesha si përfitim ka sjellë kilogramë e kilogramë florinjsh për autorin! Pra, në bazë të mirëbesimit të ngritur, nuk është lexuar dorëshkrimi, do me thënë, nuk është vlerësuar nga ekspertë të caktuar të kohës, por thjesht, është paguar në florinj dhe sa më i rëndë aq më e lartë paga, aq më shumë florinj!

Me përcaktimet e marrëdhënieve të tregut, pas viteve nëntëdhjeta të shekullit të kaluar (1990 e tëhu!), disi sikur do të kthehen po ato standarde të vlerësimit të librit. Libri, ose nuk do ta ketë fare të botuar çmimin, ose do ta ketë një tiketë të bardhë, mbi të cilën pastaj vetë “tregtarët” do t’ia vënë çmimin: varësisht nga trashësia, nga kopertina dhe nga dizajni, do t’i vihet edhe çmimi, porse kësaj radhe nuk do të fitojë autori, por produksioni i librit, tregtari! Autori, ose do t’i marrë disa ekzemplarë të librit të vet, si shenjë e shpirtgjërësisë së botuesit, ose do të marrë një grusht lekësh sa për të pirë me miqtë e vet ndonjë kafe! Hiç më shumë! Ndërsa kjo marrëdhënie në shtetet e civilizuar krijohet qysh gjatë procesit të lidhjes së kontratës me produksionin: përqindje e caktuar nga çmimi i librit që shitet shkon direkt në konton e autorit! Kjo nuk mund të bëhet te ne, te shqiptarët, meqë tashmë kemi lexuar që “tregtarët” të na flasin mbi shitjen e librit: “fare nuk po shiten, asnjë libër”! Ja pra pse te shqiptarët nuk shiten librat! Sepse, mund të jetë arritur paraprakisht ndonjë marrëveshje gojore që, sa libra të shiten me çmimin e lirë, me atë çmim që do t’i konvenojë lexuesit (sepse librit i mungon çmimi i botuar në kopertinë) përqindje e caktuar nga fitimi do t’i jepen në dorë autorit! Prandaj, nuk po shitet bre asnjë libër! Prandaj, kaq shumë na ka “rënë” lexueshmëria e librit!
Edhe më tragjike është komercializimi i librit në dorëshkrim! Konkurrohet me dorëshkrime nëpër ministri të kulturës që kanë buxhet të caktuar për ta ndihmuar botimin e librave (pra, jo edhe e autorët, sepse këtë pagesë duhet ta bëjnë produksionet e librit) dhe, anëtarët e komisioneve që kryesisht janë “krijues e kritikë letrarë”, kriter për ta vlerësuar librin e kanë volumin e librit! Nëse libri është 100 faqe, paguhet 500 euro, nëse është 300 faqe paguhet 1500 euro! Pra, kriteri moral, kriteri krijues, kriteri shpirtëror eliminohet fare që nga momenti kur “kritiku letrar” do të verifikojë se dorëshkrimi nuk mund të paguhet më shumë se 500 euro, sepse ka vetëm 100 faqe. Janë të shumtë librat në letërsinë botërore që janë në të njëjtin vëllim, por që sot e kësaj dite vlerësohen si kryevepra botërore. “Bufi i Verbër” i Sadak Hedajatit mezi arrinë 100 faqe, megjithatë teoriticientët botërorë të letërsisë edhe më tej e vlerësojnë si fenomen letrar, i cili jo që mund të përsëritet ndonjëherë, por që nuk ka pagesë që mund ta prodhojë edhe një të tillë!
Komercializimi i librit dhe tregu letrar sot ndër shqiptarët do të kishte kuptim vetëm në momentin kur do të arrihen raporte të sinqerta në mes prodhuesit dhe producentit, për ta ndarë fitimin mbi baza të kontratës së nënshkruar! Prodhuesi i librit (shkrimtari) duke u përpjekur për një kryevepër të veten, do të ndikojë te producenti që të jetë më këmbëngulës në reklamim dhe në propagim të librit. Përmes mjeteve dhe metodave të ndryshme në afirmim të botimit do të ndikonte në treg që ky prodhim të konsumohet sa më shumë, sepse edhe fitimi do të ishte më i madh për producentin.
Këto raporte “komerciale” do të ishin të sinqerta dhe profesionale vetëm në momentin kur produksione të profilizuara dhe shumë të fuqishme do të konkurronin me kryevepra, të vlerësuara paraprakisht nga komisioni letrar, i cili do të përcaktonte pagesë të konsiderueshme për dorëshkrimin, pra, për autorin, kurse produksioni do t’i mbulonte vetë shpenzimet e botimit. Më tej, çdo fitim do të shkonte në llogari të produksionit, i cili do të ndërmerrte sërë aktivitetesh kulturore me qëllim që sa më shumë libra të depërtojnë në bibliotekat shtëpiake të konsumuesve (lexuesve)! /HEJZA/

Leave a Reply